Historiku problematik i tenderëve për uniformat e policisë që sot çoi pas hekurave 8 zyrtarë

schedule10:16 - 10 Korrik, 2021

schedule 10:16 - 10 Korrik, 2021

Arrestimet e fundit të SPAK në lidhje me tenderin e uniformave të Policisë duket të jetë lëvizja më e fortë e institucioneve të drejtësisë në lidhje me problemet e hasura ndër vite në këtë sektor.

Para 2013 dhe pas saj ka patur një numër të madh tenderësh për uniformat e Policisë së Shtetit të shpallur dhe më pas të anuluar duke ngritur mjaft “flamurë të kuq” për procedurat e ndjekura.

Prokuroria ka patur një tjetër hetim në lidhje me uniformat e policisë gjatë vitit 2010-2011, por pa rezultat ndërsa që nga shtatori 2013 deri në gusht 2019 ka patur disa tenderë të shpallur, të realizuar deri në një fazë dhe më pas të anuluar, shkruan abcnews.al.

Lexo edhe: 2 800 euro një uniformë polici, ky është tenderi që i “hëngri kokën” zyrtarëve në Ministrinë e Brendshme

Përgjatë periudhës shtator 2013 – gusht 2019 qeveria shqiptare harxhoi rreth 7.8 milion euro për uniformat e policisë, ndërsa tenderi për të cilin u arrestuan zyrtarët e Ministrisë së Brendshme ishte një “goditje e fortë” prej 25 milion eurosh.

Akuza dhe anulime, historiku i tenderëve të uniformave

Në vitin 2014 Ministria e Brendshme shpalli një tender me tre faza për uniformat e policisë me vlerë totale 550 mijë euro. Tenderi u realizua dhe Policia e Shtetit mori në dorëzim uniformat e porositura, por në maj kjo kontratë u zgjat sërish duke arritur një marrëveshje me të njëjtat kompani, me negociim paraprak, pra pa garë, kundrejt një vlere 1.6 milion euro.

Në dhjetor 2015 Ministria e Brendshme njoftoi një tjetër tender për uniformat e policisë me vlerë 960 mijë euro, e cila u fitua nga kompania “Marsi-Al”. Ishte pikërisht kjo kompani e skualifikuar nga tenderi i vitit 2019 që u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike për parregullsi në procedura dhe manipulim të dokumenteve të tenderit.

Pak muaj pas firmosjes së kontratës, në shkurt 2016, ish-ministri Tahiri prezantoi uniformat e reja të policisë, por disa muaj më vonë kontrata me “Marsi-Al” u anulua pasi kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e përcaktuara në të.

Në shkurt 2017 Ministria e Brendshme hap një tjetër tender për uniformat e Policisë së Shtetit me fond prej 9.5 milion eurosh dhe synimin që kontrata të zgjaste tre vite.

Sërish në gusht 2018, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi tenderin për uniformat, kësaj radhe me një buxhet rreth 7,5 milion euro. Edhe tenderi në fjalë u anulua dhe ministria nuk dha atëhere asnjë shpjegim.

Pikërisht, këto anulime dhe problematika me tenderët për uniformat që çuan në tenderin gjigant të vitit 2019, fati i të cilit nuk mund të ishte ndryshe nga të parët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!