Historike/ Arbitri Enea Jorgji rrëfen emocionet e ndeshjes së parë të gjykuar për Champions

schedule10:06 - 20 Shtator, 2023

schedule 10:06 - 20 Shtator, 2023

ZVICËR- Për herë të parë në histori, një trupë gjyqtarësh nga Shqipëria gjykuan një supersfidë në grupet e Champions League. Me në krye Enea Jorgji, Denis Rexhën dhe Ridiger Çokaj, shqiptarët drejtuan duelin në Zvicër, aty ku vendasit e Young Boys humbën me rezultatin 1-3 përballë RB Leipzig.

Arbitri shqiptar Enea Jorgji në një lidhje “skype” me “Abc e Mëngjesit” përcolli emocionet që ndjeu gjatë sfidës, e cila padyshim ishte një arritje e madhe dhe bëri krenar çdo shqiptar. Ai tha se ishte një vlerësim i madh dhe njëherësh një përgjegjësi shumë e madhe.

“Të them të drejtën mendoj se kam bërë mirë. Shumë vlerësim i madh… ishte hera e parë, mendoj se dhamë maksimumin si skuadër për të bërë më të mirë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe arbitrimin shqiptar, të gjithë shqiptarët aty ku e meritojnë”,  tha ai.

Ai theksoi se ka marrë vlerësime të shumta për arbitrimin duke shtuar se pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë inkurajuese dhe pozitive.

“Pati fair play. Të gjithë e mirëpritën arbitrimin tonë. Kam marr plot mesazhe, plot opinione, plot këndvështrimi, 90 % e tyre janë pozitive dhe mendoj se kemi  bërë një paraqitje të denjë.  Kemi diskutuar shumë para ndeshjes dhe vetë e ndjeja se do kishim emocion shumë të fortë, sidomos gjatë himnit, sepse ajo është diçka që me të vërtetë të prek. Nuk u ndjeva shumë, por ndoshta ishte ajo bota ime të përqendrohem dhe më bëri të qëndroj larg emocioneve dhe çuditërisht emocionet I ndjeva pas ndeshjes kur u futa në dhomën e zhveshjes.  Pastaj po filloja dhe të ndieja çfarë kisha kaluar,  çfarë kisha kaluar, atmosferën, ndeshja, lojtarët, dhe pastaj më dhanë disa të dridhura…normale besoj”, theksoi Jorgji.

Arbitri shtoi më tej se të gjykosh një sfidë në një kompeticion kaq të rëndësishëm të futbollit elitar në nivel klubesh është emocion i fortë dhe njëherësh përgjegjësi e madhe.

“E kam bërë prej vitesh dhe kjo është rutinë e pjesës së punës. Më është kthyer pjesë e punës dhe emocionet nuk i ndjej dhe aq kur jam në fushë, por në të tilla evente, emocionet i përjetova, por i përjetova pas ndeshjes”, u shpreh ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!