Gazetari Mustafa Nano mbrëmjen e sotme ka patur të ftuar në studion e Provokacija, studiuesen dhe historianen Ana Lalaj. Historiania ka zhvilluar një bisedë interesante për sa i përket enigmave në fushën e historisë.
E pyetur nga Nano, se a janë të besueshëm historianët, që kanë shkruar historinë e komunizmit në vendin tonë, të cilët vazhdojnë të shkruajnë edhe tani, ajo u përgjigj se; pjesa më e madhe e historianëve të kohës së komunizmit, nuk kishin akses në arkiva dhe e ndërtonin analizën e tyre historike, mbi bazën e veprave të diktatorit komunist Enver Hoxhës.
Mustafa Nano: Deri në vitin ’90 ne kemi mësuar historinë që na tregonin historianët e komunizmit, pra ishte një histori e trukuar. Shumë historianë që kanë shkruar atë lloj historie janë akoma, janë të rëndësishëm, kanë edhe formim të mirë akademik, a janë të besueshëm?
Ana Lalaj: Në radhë të parë duhet të dimë që shtetet totalitare janë të prirura për mitomani, në histori njihen si shtetet më mitomane. Pra ata veprojnë me mite dhe me teknika përjashtuese dhe glorifikuese. Për sa i përket historisë, duhet të kemi parasysh se gjatë kohës së komunizmit, shteti shqiptar kultivonte idenë e sekretit dhe mitomanisë, në kuptimin që mbante sa më larg publikun nga sekretet e pushtetit. Këtë e konkretizoi nëpërmjet mbylljes së arkivave.
Në këto arkiva nuk shkonin dot të gjithë, 4 vetë ishin shumë. Ne të tjerët edhe pse ishim në institutin e historisë, nuk na lejohej të shkonim. Ne nuk mund të shikonim dokumentat sekret. Kështu ne punonim me veprat e Enver Hoxhës, për një cështje apo një tjetër, për cfarë kishte thënë Enver Hoxha. Veprat e Enver Hoxhës ishin bibla, baza e punës tonë, sidomos për periudhën e luftës dhe të pas luftës. Kjo nuk do të thotë që historiani bëhej palë me pushtetin se shkruante në atë mënyrë, historiani ato materiale kishte. Ka historianë që janë bërë dhe palë por jo gjithnjë, ka theksuar profesoresha e historisë./abcnews.al