Historia për të është ushqim i përditshëm, nevojë e përditshme, kënaqësi. Historiani i njohur Marenglen Kasmi vjen në një rrëfim në Pas Mesnatë me gazetaren Leontina Nika, në ABC News.
Prof. Kasmi ka kryer dy arsime të larta në Gjermani: tre vjet në Shkollën e Oficerëve të Bundesëehr-it gjerman dhe më pas pesë vjet në Universitetin prestigjioz Helmut-Schmidt në Hamburg, në Fakultetin e Historisë dhe Shkencave Sociale ku u diplomua si Magister Artium (M.A.) për Histori dhe Sociologji.
Gjithë karrierën profesionale ja ka kushtuar punës arkivore, kërkimit shkencor dhe mësimdhënies në fushën e historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare e sigurisë kombëtare, duke punuar me kohë të plotë si pedagog e shef i sektorit të historisë ushtarake në Akademinë e Mbrojtjes, e të pjesshme në Universitetin e Tiranës dhe universitete të tjera.
“ Edhe sot opinioni publik vijon si një proces bardh e zi. Jo gjithcka që është shkruar në 45 vite është shkruar gabim, jo gjithcka është interpretuar gabim dhe jo gjithcka duhet hedhur sot poshtë. Historia është një shkencë, punon mbi parime shkencore, dhe ne themi që nëse një punim shkencor ka kaluar 5 vite ai tashmë quhet i vjetëruar pasi me kalimin e kohës ka ecur mendimi. Parë në këtë këndvështrim ne i referohemi historografisë së viteve 45-90 shohim pjesën që qëndron duke e ballafaquar me dokumentacionin arkivor por edhe me opinion shkencor të huaj dhe arrijmë në një përfundim edhe më të pjekur. Ajo pjesë që nuk i intereson ta dëgjojë atë histori vijon me etiketimin, komunist apo ballist, ndërkohë që kjo është gabim që në embrion, sepse nëse themi historian, një historian nuk mund të jetë as i majtë as i djathtë” thotë ai.
Kasmi është njohës i mirë i arkivave vendase e të huaja. Është studiuesi i parë shqiptar që ka kryer hulumtime në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane në Berlin, në Arkivin e Shtetit Gjerman, Berlin-Lichterfelde dhe në Arkivin Ushtarak Freiburg, Gjermani.
“Historiani ushtarak është një studiues I vecantë, studion cështjet ushtarake gjë që nuk e bën dot një historian civil apo me formim të zakonshëm dhe këtu përputhen edhe dy arsmimet e mia bazë, në Gjermani si oficer dhe për histori. Fillimet e mia i kam si historian ushtarak edhe sot më shumti mundohem që t’i kushtohem kësaj fushe të historisë pasi është shumë e rëndësishme”, thekson ai.
“Koha e parë është viti 2007 kur kam shkuar për herë të parë në arkivën ushatarake në Gjermani, kisha zgjedhur një temë specifike pikërisht pjesën e pushtimit dhe marrëdhëniet shqiptaro – gjermane. Ngacmimi ishte shumë i madh, ajo që më ra në sy ishte cilësia e dokumentacionit jo vetëm në përmbajtje por edhe në ruajtje dhe kushtet e mira ku mund të punoje, kjo mund të quhet përvoja ime e parë në arkivat gjermane. Duke patur parasysh izolimin ana tjetër e medaljes na ka munguar pra, vetë gjermanët si e kanë parë këtë periudhë.Ka një lloj ftohtësie në përshkrimin e tyre. Ne kemi ngelur ende të bishti i urës kur thotë populli, merremi ende me datën ishte 28 apo 29. Sepse vjen si pasojë e politizimit që iu bë kësaj cështje. Data 29 është në mënyrë dokumentare e pa diskutueshme, po t’i rrimë në mënyrë të ftohtë historian ushtarak në interpretim dokumentash.Ndryshimi i datës nga politika aso kohe nga politika, është një goditje që I bëhet Luftës Antifashiste Nacional Clirimtare për ta shndërruar atë në një të pavërtetë në një mit, dhe ndryshimi i datës është heqja e tullës së parë të themelit për ta tjetërsuar, për ta shdërruar në një luftë civile. Pra e thënë shkurt, që shqiptarët në këtë periudhë kanë luftuar njëri tjetrin por jo pushtuesin”-thotë Kasmi./abcnews.al