Jose Mourinho është unikal! Trajneri portugez, i vetëquajtur “Special One”, ka shumë histori qesharake, motivuese, të veçanta dhe epike, sidomos kur drejtonte Chelsean. Lidhje të veçantë, Mourinho kishte me kapitenin John Terry, i cili në Instagramin e tij zyrtar, ka zbuluar një histori të strategut 57 vjeçar.
“Mbaj mend shumë mirë një histori të Joses, kam qeshur pafund. Po luanim kundër Bayern në Champions League dhe ai ishte i dënuar. Çfarë bëri? U fut në koshin e rrobave dhe qëndroi aty për një kohë shumë të gjatë.
Kur personi që kishte për detyrë të sillte uniformat u fut në dhomat e zhveshjes, Mourinho doli nga koshi, duke na befasuar të gjithëve. Nuk mund ta besoja, ai dukej krejt normal. Nuk i kishte lëvizur një fije floku, dukej sikur kishte shpenzuar 1 milion euro në veshjen e tij.
Ai vazhdoi komunikimin sikur asgjë nuk kishte ndodhur, ndërsa ne qeshëm për një kohë të gjatë. Një njeri i madh padiskutim, që gjithmonë gjente mënyra të ndryshme për ta na motivuar dhe për ta mbajtur të bashkuar. E fituam 4-2 atë ndeshje, por nëse Jose nuk do të kishte dalë nga koshi i rrobave, jam i bindur se historia do të ishte ndryshe”, rrëfeu ish-kapiteni i Bluve./abcnews.al