Historia e Shqipërisë në art/ Sarandë, ekspozitë me piktura dhe skulptura të para viteve ’90

schedule13:13 - 26 Tetor, 2024

schedule 13:13 - 26 Tetor, 2024

Historia e Shqipërisë në epoka të ndryshme, vjen përmes artit pamor, por jo vetëm në galerinë Art Saranda.

Piktura e skulptura, vepra të viteve para viteve ‘90, janë pjesë e muzeut të vetë galerisë.

“Në këtë moment në galeri kemi një radhim të veprave të artit në mënyrë kronologjike të zhvillimit të historisë sidomos të zonës dhe krahinës tonë, dhe në tërësi për Shqipërinë. Ne historinë e lexojmë nëpër libra, në romane por në këtë ekspozitë do ta shohim e lexojmë nëpërmjet penelit të ngjyrave dhe të daltës së skulpturave në gjinitë e peisazhit, kompozimit, të portreteve“, tha piktori Lefter Ceko.

Autorë shqiptarë dhe të huaj kanë sjellë në një formë unike realitetin e dikurshëm dhe përmes ekspozitës vizitorët mësojnë mbi të kaluarën.

“Kemi krijues nga qyteti, Shqipëria dhe shtetet e ndryshme që kanë pikturuar qytetin tonë, kemi vepra te hershme që nga vitet ’60 sesi ka qenë Saranda, sesi është trajtuar gjithë peisazhi historik, kemi edhe autorë të huaj që kanë qenë pjesë e kolonive të piktorëve. Në këtë ekspozitë ka një harmoni të krijuesve vendas, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe një renditje të krijimtarisë që me një kalim vizitorët mësojnë gjëra për realitetin e kaluar dhe realitetin që vazhdon në qytetin tonë”.

Të shumtë janë edhe vizitorët e huaj, të cilët kanë interes për të njohur historinë tonë në një mënyrë tjetër, përmes artit dhe ngjyrave.

“Tani kemi pushues të një niveli më të larte, familjarë, intelektualë që e kanë bërë pjesë të tyre dhe galerinë e artit se çlodhje dhe për të bërë pushimet e tyre krahas detit dhe diellit edhe informacionin kulturës.”

Ekspozita që i paraprinë festës së pavarësisë do të qëndrojë e hapur për disa javë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!