Futbolli në Turqi ndaloi dje. Coronavirusi i bëri ata të dorëzoheshin, edhe pse fillimisht kishin menduar ta vazhdonin garën me dyer të mbyllura. Vendimi drastik nuk ishte i lehtë, ndërkohë që ka sjellë edhe probleme të ndryshme mes lojtarëve dhe klubeve. Ndodhi dje në Zvicër, ku Sion largoi 9 futbollistë me arsyetimin se nuk mund t’i paguajë për një punë që ata s’e bëjnë dot në këtë periudhë.
Ditë më patë në Turqi, John Obi Mikel ishte ndarë me Trabzonspor. Nigeriani vendosi të flasë dhe të sqarojë gjithë situatën e krijuar atje, madje tregon se çfarë ndikimi mund të ketë nëse kampionati nuk do të rikthehet shpejt. “Futbolli është e vetmja gjë në Turqi që i lejon njerëzit të largojnë stresin, të argëtohen dhe të largojnë mendjen nga gjërat e tjera. Nëse ata e ndalojnë kampionatin për një kohë të gjatë, nuk do të ketë gjyqtarë mjaftueshëm për të vendosur për të gjitha rastet e divorceve”.
Fituesi i Champions League me skuadrën e Chelsea, është i drejtpërdrejtë: “Duhet të jem i ndershëm dhe i ashpër me ato që them: ata po tregojnë që realisht nuk ua ndjen për jetën e njerëzve. Nuk ua ndjen aspak për atë që po ndodh në gjithë botën. Gjithçka që u intereson është fitimi i kampionatit. Arsyeja pse firmosa me Trabzonspor në verë ishte që të fitonim titullin. Dhashë më të mirën time në çdo ndeshje, por në këtë situatë, ku bota po përballet me kohë të vështira, unë nuk e ndjeva që futbolli duhet të vazhdonte”.
TËRBIMI I PRESIDENTIT – Obik Mikel bëri një postim në “Instagram” dhe presidenti Ahmet Agaoglu nuk e priti aspak mirë. Nigeri kërkonte ndalimin e kampionatit dhe iu kërkua ta fshinte postimin, por nuk pranoi. “Sekretari erdhi dhe më tha: ‘Ju nuk duhet ta thoshit diçka të tillë, jemi drejt titullit kampion dhe duhet ta hiqni atë’. Unë i thashë që nuk e heq, ky është mendimi im. Bota po kalon një kohë të turbullt, të frikshme. Duhet të zgjoheni”, tregon Mikel.
Më pas pati edhe një takim ballë për ballë me presidentin Agaoglu. “Po më thoshte se nëse nuk do ta hiqja postimin, atëherë nuk do të luajë deri në fund të sezonit”. Unë iu përgjigja kështu: ‘OK, nëse kjo është ajo që ju mendoni, atëherë unë jam gati t’u qëndroj fjalëve që kam thënë dhe të marr dënimin’. Presidenti më tha se do t’i them trajnerit që unë nuk do të luaj dhe i thashë OK”.
Kundër Basaksehir Mikel ishte në stol, në një ndeshje me dyer të mbyllura që për nigerianin nuk zgjidhte asgjë. “Ende ishte një rrezik që virusi të transmetohej, pasi kishte shumë njerëz të akredituar. E pashë çfarë po ndodhte, pasi isha në stol. Nuk kishte asnjë motivim, lojtarët ishin të trembur. Nuk pati shtrëngim duarsh dhe ndjeva që nuk dua të jem pjesë e kësaj”, rrëfen nigeriani për “The Guardian”.
LARGIMI – Vendimi për t’u luajtur ndeshja me dyer të mbyllura, si dhe anulimi i shumë fluturimeve, e frikësoi mesfushorin, i cili i druhej faktit që mund të qëndronte në Turqi për disa muaj, pasi aty ishte më i sigurt. Nuk e donte diçka të tillë, por të shkonte pranë familjes.
“Klubi më tha se nëse do të largohesha nga Turqia, atëherë nuk do të kthehesha në ekip. kështu ata më kërcënuan të mos iki, e kuptoni çfarë them besoj? Ata nuk e menduan se do të isha në gjendje të anuloja kontratën. U thashë, që nëse duan ta mbyllin, le ta mbyllin. Unë duhet të shkoj në shtëpi për të parë familjen tim”, shton Mikel.
MESAZHET – Më tej ai tregon se kolegët e tij në Turqi kishin frikë të shpreheshin kundër vazhdimit të kampionatit. “Si njeri, duhet të shohësh veten në pasqyrë dhe të pyesësh, a e ndihmon shoqërinë apo familjen me këtë veprim? Kam bërë gjënë e duhur, doja të isha me familjen tim. Të gjithë në Turqi kishin frikë të thoshin diçka, pasi mund të ndëshkoheshin nga klubet ose tifozët do t’u viheshin kundër. E ndjeva se dikush duhet ta thoshte diçka. Ishte vetëm e vërteta, çfarë duhet të bëhej.
Kjo është e gjitha çfarë unë bëra. Kam marrë mesazhe nga lojtarë në Turqi, që më falënderonin që ngrita krye, pasi ata nuk mund ta bënin dhe më kërkonin t’i kuptoja. Ata kanë frikë të humbasin kontratën e tyre, punën e tyre dhe e kuptoj. E gjitha ishte për familjen time, për të bërë atë që unë mendoj se është e drejtë, për të ndihmuar botën për ta luftuar këtë virus. E vetmja mënyrë është duke ndjekur udhëzimet, të qëndrojmë në shtëpi dhe të mos luajmë futboll në këtë moment”, ka përfunduar Mikel. /abcnews.al