Manfred Fritz Bajorat, marinar vetmitar nuk jepte më shenja që nga viti 2010. U rigjet në bordin e anijes së tij i balsamosur. Ja se si mjedisi e ruajti me kalimin e kohës
Historia është një prej më dramatikeve dhe të çuditshmeve që mund të rrëfehen. Disa ditë më parë, ekuipazhi i një varke me vela që kish nisur një udhëtim përreth botës, me emrin LMAX, ndeshi pranë brigjeve të Guam, në Oqeanin Paqësor, një varkë të vogël me vela.
Siç e kërkojnë rregullat detare, grupi e braktisi garën dhe shkoi të shohë nëse në bordin e varkës ndodhej ndokush, ndoshta i plagosur, në pritje të ndihmës.
Me të hipur në bord, menduan se ishte e braktisur. Më pas, nën kuvertë gjetën një trup njeriu, i vetmi pjesëtar i ekuipazhit, krejt i mumifikuar.
I ulur në tavolinë, pranë një radiotransmetuesi, me kokën e vurur mbi njërin krah. Ndoshta ishte përpjekur të thërriste dikë për ndihmë. Gjithçka tjetër ishte në rregull.
Kështu, i mumifikuar u gjet Manfred Fritz Bajorat, në bordin e varkës së tij. Për të nuk kishte lajme që nga viti 2010.
PO SI U MUMIFIKUA?
Marinari i pafat ndoshta ka vdekur nga shkaqe natyrore, ndoshta një infarkt. Ndërkohë që erërat oqeanike, temperaturat e larta dhe ajri i njelmët, kanë kontribuar për të ruajtur të paprekur trupin.
Një trup mund të mumifikohet nga rëra e shkretëtirës, falë kripës së kristaliuar që lidh ujin dhe që pengon përhapjen e baktereve. E njëjta gjë mund të ndodhë në zonat e shkreta, të ftohta apo të ngrohta, falë erës dhe ajrit të thatë që thithin lëngjet nga një organizëm i vdekur, apo në shpella, falë temperaturës konstante dhe lagështisë së ajrit.
Mumifikime aksidentale kanë ndodhur edhe në Europë, në zonat me torfë të Irlandës, Skocisë, Holandës, Gjermanisë, Danimarkës dhe Suedisë. Natyra mund të favorizojë mumifikimin edhe në mjedise artificiale si kantina, dysheme etj, ku konservimi favorizohet prej rrymave të ajrit dhe temperaturave të qëndrueshme. GJë që mund të ketë ndodhur me marinarin e gjetur në Paqësor.
Nuk u desh shumë për të identifikuar personazhin e pafat: bëhej fjalë për Manfred Fritz Bajorat, 59 vjec, një marinar i njohur gjerman që lundronte i vetëm të gjithë detet e botës.