Historia e 31 vjeçares të lidhur me zinxhirë merr vëmendjen e avokatit të njohur: Turp e faqe zezë

schedule23:25 - 25 Korrik, 2022

schedule 23:25 - 25 Korrik, 2022

Avokati Adriatik Lapaj, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që u bë publike në Abc, ku tregohej historia e një 31-vjeçareje nga Kurbini e cila mbahej e lidhur me zinxhirë nga nëna e saj, e cila shprehej se është e detyruar ta bëjë diçka të tillë.

Lidhur me këtë ngjarje Lapaj shkruan se institucionet shqiptare duhet të marrin masa dhe të mos lejojnë më që të mbahen njerëz të lidhur me zinxhirë edhe pse të sëmurë.

Ndërkohë u ka bërë thirrje institucioneve gjithashtu që të ndihmojnë familjen e vajzës së sëmurë e cila ndodhet në gjendje të mjerueshme.

Postimi i Lapajt:

TURP E FAQE ZEZË!

Në vitin 2022 në Shqipërinë tonë mbahen njerëz të lidhur në zinxhirë.

Në vendin e dënglave të mëdha, nuk ka institucione të marrin masa që një njeri i sëmurë mendor të mos lidhet me zinxhirë.

Në Shqipërinë e luftës për parti e politikë, vendin ku kthehet në shqetësim të madh aborti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se rruan kush që një njeri lidhet me zinxhië.

Në Shqipërinë e 13 000 organizatave joqeveritare, ku shumica të mësojnë se si lahen dhëmbët e se si vishen çorapet nuk paskërka pasur asnjë që të lebetitej që një 31 vjeçare e sëmurë mendore lidhet me zinxhirë!

Në Shqipërinë e statusit të vendit kandidat për vend anëtar të BE-së nuk ka as shërbim mjekësor e as pushtet vendor që t’i dalë krahë një nëne që fatkeqësisë së sëmundjes së vajzës nuk i gjen dot ilaç tjetër veç zinxhirëve në qafë.

TURP E FAQE ZEZË!

I BËJË THIRRJE MINISTRES SË SHËNDETËSISË TË ZGJIDH RASTIN URGJENT! KJO ËSHTË TORTURË DHE KRIM NDAJ QENIES NJERËZORE. VEPËR E RËNDË SHUMË.

P.S Në fshatin Zheje të Kurbinit mbahet e lidhur me zinxhirë një 31-vjeçare, që ka lindur me probleme të rënda të shëndetit mendor. Në ato pak raste që nëna e moshuar, Marta Cacurri e zgjidh, ajo e dhunon. Thotë se është detyruar ta mbajë të lidhur, në kontenier, pasi vajza mund të dëmtojë veten dhe të tjerët.

“E kam bërë nga halli, shpirti po më ther, po s’kam nga t’ia mbaj se del e ikën. Është agresive. Të shkul flokët të tëra ti bën. Kur e laj duhen tre veta ta mbajnë, se ikën prej duarve, egërsohet. Po ta kapin nervat s’ka burrë që ta mbajë. Sa të ikë, ta shtypë makina e mbaj këtu, s’kam ç’të bëj, të vras veten.”

Nga institucionet veç miratimit të pagesës së kempit, nuk i është dhënë asnjë ndihmë, vetëm sorollatje.

Falenderoj gazetarin Ahmet Zani dhe operatorin Gjok Prenga që e zbuluan këtë fatkeqësi!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!