Histori suksesi/ Irida Molla tregon si u bë mjeke në SHBA

schedule18:30 - 1 Shkurt, 2021

schedule 18:30 - 1 Shkurt, 2021

Nga Enkeleda Bodini

Tashmë është fakt që shqiptarë të suksesshëm ka shumë, të cilët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë japin kontributin e tyre në fusha të caktuara. Historitë e tyre kanë bërë jehonë, për shkak se arritjet kanë qenë jo pak të vogla. Këtë periudhë, ku e gjithë vëmendja ka qenë te pandemia dhe sytë i mbanim te mjekët, për të dëgjuar lajme të mira, jemi njohur me mjekë shqiptarë të cilat kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar tonat. Ata janë heronjtë që kanë shërbyer pa u lodhur për njerëzit e prekur nga virusi vdekjeprurës. Një prej tyre është dhe mjekja shqiptare në SHBA, Irida Molla, e cila në një intervistë për abcnews.al, ka treguar për profesionin e saj si mjeke infeksioniste dhe jetën e saj personale.

Irida Hasala Molla është 38 vjeç, nënë e tre fëmijëve. Ka lindur në Vlorë dhe është rritur në Lushnje. Sot ajo është mjeke infeksionite në Middletown Hospital në Connecticut, SHBA.

Irida ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dhe në vitin 2006 është diplomuar në degën Mjekësi e Përgjithshme me rezultate të larta. Pas diplomimit ajo u punësua si mjeke në Drejtorinë e Shëndetit Publik më Lushnje, dhe në 2007, pasi fitoi lotarinë amerikane, u largua nga Shqipëria për në SHBA.

Largimet nuk janë të lehta. As për Iridën nuk qe e thjeshtë të ikte nga vendi i saj. Por besimi se përtej oqeanit e priste një e ardhme shumë herë më e mirë, e bindi se ajo ishte zgjedhja e duhur. Fillimi i një jetë komplet të re ishte i vështirë dhe me sfida, por mbështetja nga familja e saj dhe fokusi në qëllimet që kishte, i dhanë forcë të bëhet kush është sot, një mjeke e shkëlqyer.

“Vështirësitë janë pjesë e emigrimit, sidomos në fillim. Ndoshta sfida që prisja ishte ekuivalentimi i diplomës së mjekësisë, por fatmirësisht me vendosshmëri dhe përkushtim e përfundova me sukses brenda një viti, dhe ajo më dha mundësinë të filloja specializimet në SHBA. Sigurisht, nuk më ka munguar as mbështetja e familjes, sidomos e bashkëshortit, i cili po ashtu është mjek”, thotë mjekja për abcnews.al.

Gjatë vitit të parë në Amerikë, Irida, përveç ekuivalentimit të diplomës ka bërë dhe disa punë të tjera vullnetare dhe kërkimore në spitale të ndryshme deri në momentin që ka filluar specializimin në fushën e Mjekësisë Intere në New York që zgjati katër vjet. Specializimi u pasua nga një subspecializim në Sëmundjet Infektive,që është dhe dega ku punon prej 8 vjetësh në Connecticut.

Irida e ka jetën të lidhur ngushtë me mjekësinë që në fëmijëri. Ajo vjen nga një familje mjekësh, mamaja pediatre-neonatologe, ndërsa i ati gastrohepatolog.

“Duke parë përkushtimin e prindërve të mi ndaj fushës së mjekësisë, që fëmijë u formua dhe tek unë dëshira për të vazhduar në gjurmët e tyre. Ajo dëshirë u rrit dhe më shumë, me përkushtimin tim ndaj lëndëve ekzakte në 8-vjeçare dhe në gjimnaz, por formë konkrete mori pasi fitova konkursin për pranim në Universitetin e Tiranës në vitin 2000, dega Mjekësi, ku u rendita në vend të parë në shkallë republike midis mijëra konkurrentëve maturantë”, tha ajo për abcnews.al.

Për Iridën, profesioni i mjekut është thirrje, është sakrificë, por mbi të gjitha privilegj, nder dhe përgjegjësi, sepse pacientët u besojnë jetën dhe shëndetin e tyre.

“Nuk ka vlerësim dhe përgjegjësi më të madhe sesa të jem mjeke dhe ndihem e përulur dhe e nderuar. Shpresoj që ta përmbush atë besim çdo ditë me përgjegjësi dhe përkushtim”.

Puna në fushën e mjekësisë është me sfida të paparashikuara. 2020 ka qenë një vit sfidues për të gjithë, sidomos për punonjësit e shëndetit. Irida shprehet se për shkak të pandemisë, sfidat kanë qenë të përditshme, duke përfshirë vështirësitë e përballjes me sëmundjen vdekjeprurëse, dhimbjen për humbjen e jetëve njerëzore, përfshirë kolegë të njohur, përballja me një krizë të shëndetit publik të paprecedentë. Por nga ana tjetër, është lajmi i mirë i vaksinës me efikasitetin më të lartë, që është një ogur i mirë, një dritë në fund të tunelit.

Irida, ka marrë dy dozat e vaksinës Pfizer dhe ka treguar sesi ndihet.

“Kam marrë të dy dozat e vaksinës antiCovid dhe përveç dhimbjes në vendin e injeksionit, që është e pritshme pas çdo vaksinimi, nuk ka patur efekte të tjera anësore. Ndihem shumë mirë. Çdo vaksinim është një hap më shumë në atë që dëshirojmë, arritjen e imunitetit të popullatës”, tha mjekja infeksioniste.

Rruga drejt suksesit për Iridën nuk ka qenë e lehtë, por u bë e mundur sepse ajo beson fort se kur punon për atë që do, gjithçka bëhet e arritshme. Edhe pse mjaft e suksesshme në SHBA, për Iridën kthimi për të kontribuar në Shqipëri mbetet gjithmonë një dëshirë dhe mendim.

Këshilla e saj për të rinjtë është të studiojnë dhe të punojnë fort drejt ëndrrave, qëllimeve që keni, sepse çdo gjë është e arritshme nëse ekziston dëshira dhe vullneti.

“Ne si shqiptarë kemi një bërthamë familjare e cila është e prirur ndaj shkollimit të fëmijëve. Kemi një energji dhe dëshirë të mbarë për të arritur sukses në jetë. Asgjë nuk vjen pa përkushtim. Gjatë viteve këtu në SHBA, suksesin e kam parë realitet te shqiptarët të cilat kanë arritur jo vetëm në mjekësi, por në fusha nga më të ndryshmet. Shpeshherë ajo që na pengon të arrijmë qëllimet, janë vetëm mendimet tona kufizuese. Nëse i kalojmë ato besime limituese, qielli është limiti ynë”.

Irida është një shqiptare e suksesshme që lartëson emrin e vendit tonë me punën e saj. Është ajo që ti mund të jesh nesër, nëse punon fort, ndershmërisht dhe me pasion./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!