Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar pronarëve në Kalanë e Beratit të marrin bonusin për të restauruar pronën e tyre në këtë ambient për t’i hapur rrugë frekuentimit për turizëm. Rama tha se në rast se pronarët nuk bien dakord, qeveria do të ndërhyjë me masa shtrënguese administrative apo financiare.
“Kalaja do të jetë prioritet sepse rijetëzimi i saj do të jetë t’i shtosh Beratit një tjetër motor ekonomik. Ndoshta problemet e pronësisë janë të mprehta, por unë do iu thoja se për sa kohë ziheni se kush do marrë njërën dhomë dhe dhomat rrinë të dyja mbyllur, më mirë bini dakord që të merrni bonussin. Ne do të ndërhyjmë si bëjnë vendet e tjera me masa shtrënguese për rastet kur godina të rëndësisë së veçanta vihen në rrezik nga sherret e bashkëpronarëve dhe kërcënojnë shkatërrimin e saj.
Bëhet fjalë për masa administrative apo financiare. Si fillim mendojmë të stimulojmë bashkëpunimin mes familjeve për të vënë në jetë godinat dhe pastaj të shohim si do funksionojë ky projekt. Sot është koha për ta vënë në lëvizje. Më vjen mirë sepse këtu në Berat e kemi prezantuar si ide dhe zotim. Vijmë ta konfirmojmë që zotimi është i mbajtur dhe na duhet bashkëpunimi me investitorët. Nuk ka nevojë të shpikim. Modelet i kemi”, tha Rama.
Ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se do të hiqet tarifa për të hyrë në kala dhe vizitorët nuk do duhen të paguajnë asnjë qindarkë.
“Do ta heqim tarifën për të hyrë në kala. Është një tarifë që ka ngelur si formë zakoni. Ne tashmë po japim grante me këtë projekt që paraqiti ministrja. Nuk ka më sens që banorët në kala apo fisi i tyre të paguajnë tarifë. Dhe një gjë tjetër për kala si kjo e Beratit”, tha ministri. m.v/Abcnews.al