Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike që po zhvillohet sot në Pallatin e Kongreseve u miratua vendimi për personat non grata. Sipas këtij vendimi personat që janë në listën e zezë të SHBA-ve, do të hiqen nga strukturat drejtuese të kësaj force politike.
Lexo edhe: Kuvendi i PD shkarkon Berishën dhe mbështetësit e tij
Në rezulutën që u miratua sot u vendos:
1- Shpallja non grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
2- Të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin e vendimarrjes dhe përfaqësimit politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe partitë politike.
3- Kuvendi ngarkon organet e Partisë Demokratike për zbatimin e këtij vendimi.
4- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kuvendi Kombëtar i PD vjen një javë pas atij të Sali Berishës, ku u votua për shkarkimin e Lulzim Bashës si dhe gjithashtu u ndryshua statuti i PD-së. PD është tashmë me dy statute në Gjykatën e Tiranës, njëri i dorëzuar nga Lulzim Basha për regjistrim statutin e ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik, dhe një tjetër dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD, për regjistrim statutin e ri të miratuar në Kuvendin e Berishës.
Sakaq, grupi për Rithemelimin ka organizuar sot edhe referendumin ku anëtarët në degë firmosin për shkarkimin e Lulzim Bashës. Të dyja palët e cilësojnë si “nul” njëra-tjetrën. g.v/abcnews.al

