Gonzalo Higuain ka një karrierë të pasur duke luajtur me skuadrat më të mëdha në tre kampionatet më elitare të Evropës. Argjentinasi tashmë është kthyer tek Juventus nga huazimi dhe e ardhmja e tij është një mister. Chelsea është dënuar në Merkato dhe nuk mund ta blinte përfundimisht kartonin e lojtarit. Tek Juventus Higuain nuk cilësohet si titullar dhe shkaku është Cristiano Ronaldo. Afrimi i portugezit vitin e kaluar plotësoi sulmin bardh e zi dhe i sakrifikuari ishte pikërisht argjentinasi. Aktualisht asgjë nuk ka ndryshuar dhe vetëm një largim i Mandzukiç mund të rrisë mundësinë e qëndrimit të Higuain në Torino. Së fundmi vëllai i sulmuesit argjentinas, Nicolas Higuain e ka mohuar kategorikisht kalimin tek ndonjë skuadër tjetër në Itali përpos Juventusit duke hedhur poshtë mundësinë e nënshkrimit me skuadrën e Romës.
“E respektojmë kampionatin Italian por në Itali Higuain do të qëndrojë vetëm te Juventusi. Nëse vëllai im nuk është në planet e skuadrës, ai do të luajë në një kampionat tjetër. Është 32 vjeç dhe ka ende shumë vite për të dhënë deri kur të kthehet në Argjentinë”, tha vëllai i sulmuesit të Juventusit Nicolas Higuain.
Mundësinë për të qëndruar tek Juventus janë shumë të pakta ndërkohë që e ardhmja e ish sulmuesit të Realit mbetet një ekuacion më vete./ABC News Albania 24/7