Higuain drejt MLS, Bielsa piketon një mesfushor në Serie A

schedule15:19 - 30 Gusht, 2020

schedule 15:19 - 30 Gusht, 2020

Sulmuesi i Juventusit, Gonzalo Higuain, vazhdon të kërkojë një skuadër të re. Argjentinasi, i cili është jashtë planeve të Andrea Pirlos, është kërkuar nga disa klube angleze, por mesa duket ai e ka mendjen diku tjetër.

Sipas raportimit të “L’Obs”, 32-vjeçari është në bisedime me drejtuesit e Inter Miami të David Beckham. Kështu “El Pipita”, nëse transferohet në MLS, do të gjejë atje ish-shokun e skuadrës, Blaise Matuidi. Ndërkohë kujtojmë që në radhët e DC United luan dhe vëllai i tij, Federico Higuain.

Nga ana tjetër Leeds United vazhdon të tentojë të fuqizohet në merkato, pas rikthimit në Premier League. Fillimisht anglezët transferuan Rodrigon nga Valencia dhe tashmë kanë piketuar mesfushorin e Udinezes, Rodrigo De Paul.

Sipas raportimit të “The Telegraph”, argjentinasi pëlqehet shumë nga trajneri Bielsa dhe firma me të është kthyer në prioritet tek Leedsi. 26-vjeçari kërkohet dhe nga ekipe si Milan, Inter, Roma dhe Juventus. Kontrata aktuale e De Paul përfundon në vitin 2024 dhe klauzola e tij është plot 30 milionë euro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!