Ditën e djeshme u caktuan 32 ekipet që do marrin pjesë në fazën finale të Champions League. Nuk munguan befasitë, me Sheriff Tiraspol, kundërshtarin e Teutës, që bëri surprizën dhe arriti në grupe.
26 ekipe janë kualifikuar në këtë fazë në mënyrë direkte, ndërsa 6 të tjera arritën të kalojnë raundet kualifikuese dhe janë mes më të mirëve.
Mbrëmjen e sotme në 18:00, në Stamboll të Turqisë do të mbahet shorti i fazës së grupeve të Champions League, me skuadrat, që janë të ndara në vazo dhe shorti mund të formojë duele mjaft të forta.
Ekipe si Barcelona, Real Madrid, Juventus apo Borussia Dortmund ndodhen në vazon e dytë dhe mund të përballen me të tjerë të mëdha që ndodhen në vazon kryesore. Gjithsej janë 4 vazo.
The Champions League pots are set for Thursday’s draw ? pic.twitter.com/yZ0sTnmMOL
— B/R Football (@brfootball) August 25, 2021
Të ftuarit special në mbrëmjen e sotme janë dy ish-londinezë, Branislav Ivanović dhe Michael Essien, të cilët do të ndihmojnë me shortin.
Si bëhet ndarja e vazove: Në vazon e parë janë skuadrat kampione të 6 ligave më të forta, fituesi i Europa League (Villarreal) dhe fituesi në fuqi (Chelsea). Më pas vazot 2,3 dhe 4 përcaktohen sipas renditjes së koeficientit të klubit.
Duhet të themi se në këtë raund nuk do ketë përballje të skuadrave të një vendi, teksa do ketë edhe kufizime të tjera, që do shpallen në momentin e hedhjes së shortit. Faza e grupeve të Champions League nis në mes të shtatorit. /abcnews.al