Hidhet në erë kanali i ujit të pijshëm në Zubin Potok, ndërpritet furnizimi për mijëra banorë të Kosovës

schedule20:59 - 29 Nëntor, 2024

schedule 20:59 - 29 Nëntor, 2024

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut ka dëmtuar depon e ujit të pijshëm të Ibër-Lepencit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë se është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke shtuar se ekipet policore po punojnë që ta zbardhin rastin.

Ujësjellësi rajonal Mitrovica njoftoi se ka ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të kanalit.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varagë.

“Dëshirojmë të bëjmë të qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast”, tha kjo parti përmes një postimi në rrjetet sociale. Lista Serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”.

Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese. Policia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.

Ky institucion tha se me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.