Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën e “Ujit të Bekuar”, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë.
Ceremonia e kësaj dite të shenjtë si çdo vit edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare si: leximi i ungjillit, mesha dhe këndimi i ujit të bekuar, prifti i Beratit Johan Qako me kryqin në dorë dhe nën goditjen e këmbanave të Kishës përshkoi pedonalen e qytetit dhe i’u drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin, simbolin e kësaj feste.
8 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit edhe pse temperaturat kanë qënë nën zero, janë hedhur në ujin e ftohtë të lumit për të kapur kryqin. Me gjithë temperaturat e ulëta, nën zero gradë, në lumë hodhen 8 të rinj. Kryqi u kap nga 42 vjeçari nga Berati, Ferdinad Xhimitiku. Si çdo vit për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 500 mijë lekë (të vjetra) dhe ai me kryqin në dorë shkon në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave dorovisin kryqin e bekuar që mban në dorë i riu.
Pas hedhjes së kryqit të gjithë besimtarët e krishterë beratas i drejtohen sërish Kishës së Shën Dhimitrit, për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin, dhe pihet sa herë ata janë të sëmurë./abcnews.al