Shumë vende kanë gjetur mënyra të ndryshme për të bindur qytetarët që të vaksinohen. Disa vende, si Franca, e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin dhe kanë ndaluar personat e pavaksinuar të marrin pjesë në evente kulturore dhe argëtuese, sipas Politico.
Megjithatë, shumica e vendeve por përdorin stimuj pozitivë, siç janë dhuratat, për të tërhequr të pavaksinuarit. Kjo taktikë u zgjodh nga Presidenti amerikan Biden, duke ofruar 100 dollarë për ata që janë vaksinuar. Shteti i Maryland ka hapur një llotari prej 400,000 dollarësh, i cili do të fitohet nga një person i vaksinuar.
Hong Kong do të dhurojë një apartament në një llotari për personat e vaksinuar.Serbia ka ofruar 25 euro për çdo shtetas serb mbi moshën 16 vjeç i cili do të vaksinohet.
Në Britani, kabineti miratoi “kuponat e vaksinimit” për të rinjtë, të cilat do të ofrojnë taksi falas, bileta për kinema dhe ushqime falas. Administrata Johnson ka thënë, se personat që refuzojnë të vaksinohen nuk do të jenë në gjendje të vizitojnë klubet e natës.
Në Gjermani, autoritetet e Zonenberg u kanë bërë thirrje banorëve të vaksinohen duke u ofruar ushqim falas. Qyteti i Berlinit punësoi një DJ në një qendër vaksinimi në përpjekje për të tërhequr të rinjtë në qendrën shëndetësore.
Një librari në Oradea, Rumani, ofron kafe dhe një libër falas për personat e vaksinuar. Në Spanjë, nga ana tjetër kabineti vendosi, pas shumë takimesh, të mos i shpërblejë personat që janë të vaksinuar, duke thënë se përgjegjësia nuk duhet të jetë subjekt i kënaqësie të momentit./abcnews.al