Hezitimi ndaj vaksinave në Evropën Juglindore, buron nga e kaluara autoritare e rajonit

schedule13:45 - 3 Nëntor, 2021

schedule 13:45 - 3 Nëntor, 2021

Nga Alix Kroeger “New Statesman”

Në kushtet kur rastet e reja me Covid-19 dhe vdekjet janë në nivelet më të larta të Bashkimin Evropian, më 20 tetor presidenti i Rumanisë dekretoi futjen në zbatim të masave të reja të rrepta: paraqitjen e certifikatës së vaksinimit për të marrë pjesë në shumicën e aktiviteteve, mbajtjen e detyrueshme të maskës edhe në rrugë, si dhe kufizim të lëvizjes në mbrëmje për njerëzit që ende nuk janë vaksinuar.

Norma e vaksinimit për ata që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës mbetet ende e ulët, me rreth 32 për qind të popullsisë. Në këtë vend Skepticizmi ndaj vaksinave është shumë i përhapur. Mjekët raportojnë se pacientët u kërkojnë certifikata të rreme vaksinimi. Rumania është më e prekura nga kjo dukuri, por jo e vetmja në rajon.

Në mbarë Evropën Juglindore, niveli i vaksinimit është i ulët dhe dyshimi ndaj autoriteteve është shumë i lartë. Në Serbi, vetëm 43 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar ndaj Covid-19; në Bullgari 21 për qind; dhe në Bosnje-Hercegovinë vetëm 15 për qind.

Ky skepticizëm është i rrënjosur në histori, dhe i përforcuar nga përvoja e hidhur. Gjatë epokës komuniste, autoritetet shiheshin si të vrazhda dhe vendimet e tyre arbitrare. Disa
nga qeveritë e zgjedhura pas vitit 1989 dhe rënies së Perdes së Hekurt ishin pak më të
mira.

Por korrupsioni ishte shumë i përhapur. Kishte pak arsye për t’i besuar shtetit, si për këshilla shëndetësore apo për ndonjë gjë tjetër. “Njerëzit nuk besojnë se shteti vepron në interes të së mirës së përbashkët”- thotë profesor Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri.

“Ata nuk u besojnë mesazheve që vijnë nga apo edhe ekspertët. Ata besojnë se të gjitha këto janë të nxitura nga interesa egoiste”- thekson ai. Vetë qeveritë kanë bërë pak për t’i zbehur dyshimet e popullatës ndaj tyre.

Serbia vendosi masa shumë të ashpra kufizuese në muajt e parë të pandemisë, përfshirë gjendjen e shtetrrethimit në disa fundjava, të cilat zgjasnin nga e premtja më mbrëmje dhe deri në mëngjesin e së hënës. Por nuk pati kufizime të tilla për tubimet elektorale përpara zgjedhjeve lokale të qershorit të vitit 2020, të cilat u fituan me lehtësi nga partia në
pushtet.

Një muaj më vonë, demonstratat kundër një shtetrrethimi të ri të propozuar nga qeveria, u bënë protesta më të mëdha kundër vetë qeverisë aktuale.“Arbitrariteti me të cilin i përdorën disa qeveri këto masa për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe kundërshtarëve të tyre, është tipari më shqetësues i trendit”- shkruajnë Beata Huszka dhe Tania Lessenska në një analizë të gjatë mbi politikat në Ballkanin Perëndimor gjatë pandemisë për think-tankun “European Council on Foreign Relation”.

Bieber shprehet akoma më troç: “Qytetarët ndihen sikur janë marrë për një udhëtim”.Teoritë e konspiracionit gjejnë terren pjellor dhe lulëzojnë. Përballë një reagimi zyrtar kaotik apo indiferent, opinioni mund të preferojë të besojë se dikush diku, e ka një plan keqdashës. Dhe kjo nuk është asgjë e re. Në Shqipërinë dhe Jugosllavinë e para vitit 1989, qeveritë promovuan idenë e rrethimit nga forcat armiqësore, të cilat mund të sulmonin në çdo kohë. Kur njerëzit nuk u besojnë burimeve zyrtare të informacionit, ata kërkojnë alternativa. Skepticizmi ndaj mjekësisë perëndimore është i përhapur. Në vend të tyre njerëzit u drejtohen mjekëve popullorë ose mjekësisë alternative. Të besosh ose jo linjën zyrtare, shndërrohet në një simbol të identitetit.

“Njerëzit që mund të jenë armiqësorë ndaj qeverisë për arsye të mira apo të këqija, po e refuzojnë vaksinën ose janë skeptikë ndaj saj, pasi e shohin atë si mbështetje të nënkuptuar për qeverinë”- thotë Bieber. Dhe këto pikëpamje nuk kufizohen vetëm në skajet e shoqërive.

Kampioni botëror i tenisit, Novak Djokovic, është një hero për shumë serb. Ai nuk dëshiron që të etiketohet si kundërshtar i vaksinave. Por nga ana tjetër është shprehur se do të preferonte më mirë të humbiste pjesëmarrjen e tij në turneun “Australian Open” në janar, sesa të zbulonte statusin e tij të vaksinimit.

Djokovic bie dakord me grupe të tjera besimesh që zakonisht gjenden së bashku:nacionalizmi serb dhe mjekësia alternative. Ai ka përdorur mjete natyrale (pa sukses) për të trajtuar një lëndim në bërryl, dhe së fundmi është fotografuar me një veteran të luftës boshnjake, i cili ishte dënuar për krime kundër njerëzimit.
Serbia ka autorizuar përdorimin e vaksinave kineze dhe ruse kundër Covid-19. Ata që kundërshtojnë Perëndimin, mund të zgjedhin një vaksinë që e plotëson politikën e tyre.
Po ashtu Bashkimi Evropian ka ofruar gjithashtu vaksina për rajonin.

Por e ka bërë këtë në partneritet me qeveritë. Ata që janë të zhgënjyer me premtimet e paplotësuara për të ardhmen evropiane të Serbisë, nuk ka gjasa që të jenë mbështetës të linjës zyrtare. Por ky mosbesim ndaj këshillave zyrtare mjekësore i paraprin pandemisë së Covid-19.

Gjatë viteve 2017-2018, rajoni përjetoi një numër të madh rastesh me sëmundjen tejet infektive të fruthit. Në Serbi, ku kundërshtarët e vaksinave kanë shumë mbështetës dhe ndjekës në rrjetet sociale, vdiqën 14 persona nga kjo sëmundje.

Shkalla e infeksionit për frymë ishte më e larta në Evropë, me më shumë se 600 raste për 1 milionë njerëz. Fruthi është shumë ngjitës, por ndërkohë edhe i parandalueshëm. Virusi preku ata që nuk ishin vaksinuar, qoftë për shkak të bindjeve të tyre personale, fushatave të parregullta të vaksinimit apo trazirave të luftës gjatë viteve 1990.

“Evropa Juglindore është një shoqëri e cila në shumë mënyra e humbi orientimin e saj pas vitit 1990”- thotë Bieber. Sipas tij tërheqja ndaj teorive konspirative “kishte shumë të bënte me trazirat që përjetuan njerëzit në jetën e tyre: lufta, shpërbërja e shtetit dhe pasiguria”. Shpjegimi më i qartë se këto janë rezultat i politikanëve të këqij që bëjnë gjëra të tmerrshme, për çfarëdo arsye, shpesh nuk është shumë i kënaqshëm për njerëzit që janë në kërkim të përgjigjeve.

Këto gjëra të tmerrshme mund të përfshijnë ndonjëherë kontrata të dyshimta. Në Bosnje, një kontratë e majme për blerjen e ventilatorëve për të sëmurët rëndë nga Covid-19 përfundoi tek pronarët e një ferme që kultivonin mjedra, edhe pse prodhuesit paralajmëruan se pajisjet nuk ishin të përshtatshme për pacientët me sëmundje kritike.

Ndaj këtij skandali pati zemërim por edhe apati nga opinioni publik. Shumë njerëz nuk prisnin asgjë më tepër. Pandemia aktuale ka nxjerrë në pah dobësitë sociale dhe personale. Pabarazia midis atyre që mund të punonin nga shtëpia dhe atyre që nuk mundën; kostoja e ofrimit të kujdesit për fëmijët; apo vetmia me të cilën përballen shumë njerëz që duhej të mbroheshin për arsye shëndetësore. Në Evropën Juglindore, pandemia ka shfaqur hendekun e mosbesimit që ndan qeveritë nga të qeverisurit. Viktimat e Covid-19 kanë rënë brenda këtij hendeku. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!