Hetuesit në Korenë e Jugut kanë kërkuar të hënën lëshimin e një urdhër arresti për presidentin e pezulluar të vendit, Yoon Suk Yeol, në lidhje me zbatimin jetëshkurtër të ligjit ushtarak.
Yoon nuk u është përgjigjur thirrjeve për t’u marrë në pyetje nga Policia dhe Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, të cilat janë duke e hetuar bashkërisht nëse shpallja e ligjit ushtarak nga ai më 3 dhjetor përbënte kryengritje.
Policia është përpjekur por ka dështuar ta bastisë zyrën presidenciale gjatë hetimit. Një gjykatë në Seul do të vendosë tani nëse do të lëshojë urdhër arrestin për Yoon apo jo.
Kryengritja është njëra prej akuzave ndaj të cilave presidenti koreanojugor nuk ka imunitet.
Yoon Kab-keun, avokati i presidentit të pezulluar, e cilësoi kërkesën për arrestim e tij si “të padrejtë” dhe deklaroi se agjencia kundër korrupsionit nuk ka autoritet për ta bërë një kërkesë të tillë./abcnews.al