Selim Çekaj ka rënë në pranga pasi policia kapi 49 kilogramë kokainë në portin e Durrësit. Lënda narkotike u gjet në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të firmës së Çekajt në Maminas, “Ecoalmax”.
Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, i cili ndodhet ne qeli për 613 kg kokainë të kapur në portin e Durrësit, po në kontejnerë me banane që vinte nga Kolumbia për firmën e tij “Arbri Garden” në vitin 2018. Kështu familja Çekaj është rikthyer edhe njëherë në vëmendje për mënyrën e trafikimit të drogërave të forta nga vendet e Amerikës Latine, përmes kontejnerëve me banane.
Siç mëson abcnews.al për këtë rast hetimi kishte një muaj që kishte nisur. Mësohet se sa herë ka pasur transporte me kontejnerë përmes portit të Durrësit kontrolloheshin të gjithë.
Gazetari Leonidha Musaj raporton se kontejneri po mbahej në vëzhgim që nga nisja deri në portin e Durrësit, dhe i ishte vendosur çip. Gjatë operacionit ka pasur bashkëpunim edhe me agjencitë e huaja. Përpara se të mbërrinte në Durrës kontejneri ka ardhur tranzit nga porti i Mersinit në Turqi.
Sakaq, Selim Çekaj ka mohuar që droga të jetë e tij. g.v/abcnews.al