Prokuroria e Gjirokastrës ka çelur procedimin penal “shkaktim i vetëvrasjes” për rastin e të miturës 17 vjeçare, nxënëse e gjimnazit “Siri Shapllo” që i dha fund jetës në banesën e saj pasditen e 10 shkurtit.
Ngjarja fatale ndodhi pas një periudhe të gjatë vetëizolimi psikologjik dhe arsyesh për të cilat është duke u hetuar. Sipas burimeve nga prokuroria janë grumbulluar prova të shumta që besohet se do të çojnë drejt zbardhjes së të vërtetës. Provat janë me natyrë filmike si dhe transkriptime komunikimesh. Ekziston një letër e shkruar nga viktima e cila është pjesë e sekretit hetimor dhe mund të çojë drejt gjetjes së përgjegjësive për shkaktimin e vetëvrasjes.
Deri tani prokuroria ka pyetur mbi 100 persona, nxënës të shkollës “Siri Shapllo” kryesisht ata që e njihnin më mirë viktimën.
Gjithashtu po pyeten të gjithë mësuesit dhe stafi i shkollës, familjarë dhe persona që kanë dalë në vëmendje prej hetimeve deri tani.
Procesi sipas prokurorisë është i vështirë sepse bëhet fjalë për persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen në moshë të mitur nga 15-17 vjeç të cilët duhet të shoqërohen nga prindërit gjatë marrjes në pyetje.
Adoleshentja u gjet në dhomën e saj pa shenja jete nga i ati disa orë pasi i kishte dhënë fund jetës. Deri tani shkolla, nxënësit apo familja kanë refuzuar të flasin për ngjarjen. Pista kryesore e deritanishme është bullizmi në shkollë që ka përjetuar viktima, por hetimet po vijojnë./abcnews.al