Tre ditë pas vrasjes mafioze të Edmond Koçit në Durrës, policia nuk ka ende asnjë autor të dyshuar. Edhe pse janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje më shumë se 50 persona, dëshmitë e tyre nuk i kanë ndihmuar hetuesit të hedhin dritë mbi atentatorët.
E vetmja dëshmi që do të vlente për ta, ishte ajo e shoferit të viktimës. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Benz-in e përdorur nga atentatorët ndodheshin dy persona, drejtuesi i mjetit si dhe personi që shkrepi armën, i ulur në pjesën e pasme.
Grupi hetimor nuk ka përcaktuar ende se ku është vjedhur makina tip Benz, apo se nga mund të jetë trafikuar ajo. Kjo pasi nuk kishte numër shasie. Ndërsa targat e tij ishin vjedhur pak muaj më parë në Tiranë.
Makinën ata e dogjën në Sukth, brenda së cilës u gjet edhe arma kallashnikovë. Prej andej autori dhebashkëpunëtori i tij në krim janë larguar me një tjetër automjet. Policia ka sekuestruar një sërë kamerash sigurie përgjatë zonës, por nuk kanë mundur të bien në gjurmët e tyre.
Edmond Koçi, që njihej edhe me emrin Mond Çekiçi, ishte shok i ngushtë me Edmir Bregut, i vrarë me breshëri kallashnikovi në po të njëjtin vend ku u vra edhe Çekiçi. Grupi hetimor ka dyshime se, 43 vjeçari mund të jëtë vrarë nga të njëjtët persona, me porosi të personave të tjerë.
Edmond Koçi është një emër i njohur për policinë shqiptare. Ai njihej si ish-anëtar i “bandës së Durrësit” si dhe person me precedente të mëparshme kriminale. Ai së fundmi u arrestua për armëmbajtje pa leje, por fitoi lirinë me argumentin se ishte i sëmurë me Covid. /abcnews.al/