Hetimet për Bylisi-Tirana, Halili dhe “banda bardheblu” zbarkojnë në FSHF

schedule14:19 - 14 Korrik, 2020

schedule 14:19 - 14 Korrik, 2020

Komisioni i Etikës është mbledhur ditën e sotme dhe në FSHF pak çaste më parë janë paraqitur përfaqësues të klubit të Tiranës. Presidenti Refik Halili, Drejtori Sportiv Arbi Laçi, trajneri Emanuel Egbo dhe futbollistët Ilion Lika e Erando Karabeci duhet të shpjegojnë para anëtarëve të Komisionit të Etikës se çfarë ndodhi në ndeshjen kundër Bylisit.

LEXO EDHE: DOSJA “BYLISI-TIRANA”, SI U LUAJTËN BASTET DHE SA U FITUA PREJ TYRE

Presidenti Refik Halili ka folur edhe më parë në media, madje duke u shprehur se janë humbur baste në mungesë të golit të katërt. Gjithashtu ai ka pranuar se ditën e ndeshjes ka pasur disa persona që nuk i njihte dhe që i dukeshin të dyshimtë.

Arbi Laçi, një ditë më parë në emisionin “Pressing” në ABC News, në lidhje me takimin e Kupës që po hetohet, tha: “Nuk marr përsipër të bëj as autokritikë, as avokat, as asgjë tjetër. Nuk e menaxhuam mirë nga ana sportive, lamë katër lojtarë titullarë pushim, neglizhuam pasi shënuam dhe humbëm 2-1. Kupa është një tjetër objektiv për ne, siç është kampionati”.

LEXO EDHE: “JANË BËRË MASAKRA EDHE MË TË MËDHA, DIHET KUSH SHET NDESHJE!”

Ditën e enjte, në FSHF ishin arbitri Juxhin Xhaja, delegati Besnik Çela, si dhe përfaqësues të Bylisit Besnik Kapllanaj (presidenti), Veljko Dovedan (trajneri) dhe futbollistët Jurgen Goxhaj dhe Valentino Murataj. /abcnews.al