Dështon mbledhja e Komisionit të Etikës. Shkak ishte mungesa e anëtarëve të këtij komisioni. Ditën e djeshme, në FSHF u paraqitën vetëm Fatmir Braka dhe Bashkim Koka dhe mbledhja e radhës për hetimin e Bylisi-Tirana nuk mund të zhvillohej.
Më parë në komision kanë dhënë deklaratat e tyre zyrtarët e gjysmëfinales së parë, arbitri Juxhin Xhaja dhe delegati Besnik Çela. Më pas edhe Besnik Kapllanaj (presidenti i Bylisit), Veljko Dovedan (trajneri) dhe futbollistët Valentino Murataj dhe Jurgen Goxha dhanë deklaratat e tyre.
Të martën e shkuar, nga Tirana në Komisionin e Etikës i paraqitën Emanuel Egbo, Erando Karabeci dhe Ilion Lika. Nuk mungoi edhe presidenti i bardhebluve, Refik Halili. Ky i fundit kishte kërkuar ta depozitonte ditën e djeshme deklaratën e tij me shkrim.
Etika këtë herë nuk u mblodh dot dhe tani mbetet të shihet kur do të bëhet mbledhja e radhës dhe kur do të merret një vendim për Bylisin e Tiranën. Përballja mes tyre është e dyshuar për trukim, pasi në fushë u pa një sjellje e çuditshme e futbollistëve, si dhe koeficientet në baste u luhatën shumë. /abcnews.al