Hetimet për bastet e kartonit të Xhakës, “Daily Mail” fut në lojë mafien shqiptare

schedule10:17 - 5 Gusht, 2022

schedule 10:17 - 5 Gusht, 2022

Kartoni i verdhë i marrë nga Granit Xhaka në përballjen mes Arsenalit dhe Leeds United në sezonin e kaluar është rikthyer sërish në vëmendje.

Ndaj futbollistit shqiptarë kanë nisur hetimet për atë karton të marrë, teksa po shqyrtohet një komplot i dyshuar kriminal që përfshin mafien shqiptare dhe një ish-futbollist profesionist i cili është dënuar për trukim ndeshjesh.

“Sportsmail” zbuloi në qershor se hetimi i FA për kartonin e verdhë të çuditshëm të Xhakës për humbje kohe për ndeshjen e zhvilluar në dhjetorin e kaluar, iu kalua Agjencisë Kombëtare të Krimit, që drejton luftën e Britanisë së Madhe kundër krimit të rëndë dhe të organizuar.

Hetimi i FA u shkaktua nga modele të dyshimta bastesh që u shfaqën në fund të fitores 4-1 të Arsenalit në “Elland Road”, me 52 mijë funte të vendosura për Xhakën që të ndëshkohet me karton të verdhë në 10 minutat e fundit të lojës, gjë që edhe kishte ndodhur.

Futbollisti nga Kosova ishte ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari Andre Marriner në minutën e 86-të, pasi vonoi të ekzekutonte një goditje dënimi, pavarësisht se Arsenali po fitonte 4-1 dhe kishte kontroll të plotë të lojës.

Pamjet e këtij rasti tregojnë mesfushorin duke qëndruar afër topit në gjysmëfushën e Arsenalit për rreth 20 sekonda përpara se të ndëshkohej.

Tani, “Sportsmail” nga burimet ka mësuar se NCA kanë zbuluar prova të shumave të konsiderueshme të basteve në kriptovaluta, në tregje që nuk janë të rregulluara në këtë vend, me një pjesë të madhe të aktivitetit që mendohet se ka ndodhur në Shqipëri, përcjell Gazeta Express.

NCA po shqyrton gjithashtu pretendimet se Alban Jusufi, një sulmues suedezo-shqiptar i dënuar me pesë vjet pezullim për trukim ndeshjesh nga gjykatat suedeze në vitin 2017, bëri shuma të mëdha duke vënë bast që mesfushori i Arsenalit të ndëshkohej.

41-vjeçari ishte shpallur fajtor për korruptimin e portierit të AIK-ut, Kyriakos Stamatopoulos, me 150 mijë funte për të mos performuar mirë përpara një derbi kundër IFK Gothenburg, në vitin 2017. Federata e Futbollit e Suedisë e shtyu ndeshjen pasi u raportua trukimi i ndeshjes.

Mbetet të shihet në vazhdim se si do të shkojnë hetimet për rastin e reprezentuesit të Zvicrës, i cili sonte pritet që të luajë nga fillimi këtë të premte, në ndeshjen hapëse të sezonit 2022/23 në Premierligë, kundër Crystal Palace. /f.a/abcnews.al