Hetimet mbi aferën mes Trump dhe aktores së filmave për të rritur kanë çuar agjentët e FBI-së që të përgjojnë bisedat telefonike të avokatit të presidentit amerikan, Majkëll Kohen.
Hetuesit federalë në Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar linjat telefonike të avokatit të presidentit Trump, përpara se të bastisnin zyrën e tij, shtëpinë dhe dhomën e një hoteli. Lajmin e bën të ditur rrjeti informativ amerikan “NBC Neës”, që citon burime të afërta me procesin hetimor. Bastisjet ndodhën në prill, në kuadër të hetimit penal që po zhvillohet në Nju Jork për pagesën që i është bërë aktores së filmave për të rritur, Stormi Daniels, që përflitet se ka patur një aferë me Trump një dekadë më parë. Ende nuk dihet me saktësi se kur mandatet për kryerjen e përgjimeve janë siguruar, apo se çfarë provash zotëronin agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve për t’i kërkuar ato. Një zëdhënës i zyrës së prokurorit të Manhatanit, që po koordinon hetimet mbi avokatin Majkëll Kohen, ka refuzuar të bëjë komente. Edhe Kohen dhe një bashkëpunëtori i tij nuk iu përgjigjën kërkesës së “NBC News” për një reagim. Rudi Xhuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut i kthyer në avokatin personal të Trump, ka deklaruar për “Washington Post” se përgjimet kanë qenë “të papërshtatshme”. Hetimi i prokurorisë së Manhatanit është një fragment i hetimit të prokurorit të posaçëm Robert Myler për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ndërhyrje që mohohet si nga Trump ashtu dhe nga Moska. /abcnews.al