Një hetim i nisur nga Prokuroria e Tiranës, në vitin 2020, zbuloi një rrjet trafikantësh të cilët nëpërmjet dokumenteve false kalonin shtetas shqiptarë në drejtim të Britanisë së Madhe, SHBA, por edhe në Kanada.
Për shkak se personat e përfshirë në këtë aktivitet funksiononin si grup i strukturuar kriminal, hetimet kaluan në Prokurorinë e Posaçme.
SPAK infiltroi brenda trafikantëve një agjent.
Pasi u vendos në Barcelonë, ai lidhi kontaktet me grupin kriminal të cilit i kërkoi ndihme për të udhëtuar në SHBA.
Të gatshëm për të ndihmuar kolegun e tyre, grupi porositi për të dokumente të falsifikuara, të cilat prodhoheshin në një laborator në Kosovë, dhe nëpërmjet një agjencie turistike, iu dërguan në Spanjë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, organizatori kryesor i këtij rrjeti ishte i arrestuari Bashkim Sula. Ky i fundit si krahë të djathtë kishte Njazi Ademajn, një tjetër prej 26 të arrestuarve në Shqipëri. Ademaj, kishte rolin e personit që do të gjente shqiptarët e interesuar për të kaluar ilegalisht në SHBA, Britani apo Kanada.
Ky grup trafikantësh arrinte të falsifikonte dokumente si karta ID, Pasaporta, patenta e deri tek kartat e identitetit, nëpërmjet një laboratori në Kosovë, që drejtohej nga Xhelal Krasniqi. Po ashtu një laborator për falsifikimet ishte hapur edhe në Tiranë, pranë Shkollës së Bashkuar, që drejtohej nga Ylli Brahimi.
Pasi gjendeshin klientët, me anë të dy agjencive shqiptarët akomodoheshin në qytete të ndryshme në Spanjë dhe më pas po këto dy agjenci u dërgonin edhe dokumentet e falsifikuara. Në një rast SPAK ka mundur të faktojë se agjencia “Domi” në drejtimin e të arrestuarit Rrezart Domit, i ka dhënë disa dokumente të falsifikuara shoferit të agjencisë Arsen Cakës, te cilat ai I ka dërguar në Spanjë.
Për pajisjen me këto dokumente të falsifikuara, pagesat varionin nga 12 deri në 18 mijë euro, në varësi të vështirësive për prodhimin e tyre. Kryesisht dokumentet e falsifikuara qe iu jepeshin te interesuarve i përkisnin shteteve si Italia, Rumania, Sllovenia apo Bullgaria.
SPAK deri tani ka mundur të faktojë se janë 44 shtetas shqiptarë që janë ndihmuar të kalojnë nga Spanja, në drejtim të Britanisë së Madhe, në ShBA dhe në Kanada.
Të dielën para Gjykatës së Posaçme dolën 32 persona për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa 5 pjesëtarë të grupit vijojnë të jenë ende në kërkim nga ana e Policisë Shqiptare.
Gjykata ndryshoi masat vetëm për 2 të arrestuar. Besnik Lumaj, për të cilin gjykata kishte caktuar arrest shtëpie, u lirua me detyrim paraqitje. Ndërsa për Arnold Shakun masa u lehtësua në arrest shtëpi, për shkak të një problem shëndetësor
/abcnews.al/