Hetime ndaj Berishës dhe Metës? Gjikondi: Nuk janë më të pandëshkueshëm, SHBA i ka dhënë mbështetje SPAK-ut

schedule18:41 - 29 Shtator, 2023

schedule 18:41 - 29 Shtator, 2023

Juristja Brizida Gjikondi thotë se Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk janë më të pandëshkueshëm, duke iu referuar deklaratës së kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani për hetime që vijojnë për çështje ku implikohen edhe familjarë të ish presidentëve.

Në një intervistë për ABC News, Gjikondi u shpreh se po shihet një standard ndryshe, pasi më parë figurat e larta shtetërore dhe familjarët e tyre ishin të paprekshëm.

Sipas Gjikondit, SHBA i ka dhënë mbështetje dhe kurajo SPAK-ut.

“Për herë të parë ndryshon strandardi i procedimit të figurave të larta të shtetit shqiptare, që gjithmonë kanë qenë të pacënueshme. Përfshi këtu, familjen e ish presidentit Meta, përfshi këtu, familjen e Berishës. Në rast se këta bëhen të cënueshëm dhe janë qytetarë të barabartë të këtij vendi, ka shpresë për të gjithë shqiptarët dhe ka shpresë se do të procedohen dhe ata që kanë qenë të korruptuar, pjesë e sistemit korruptiv në këtë vend. Për herë të parë po shohim një standard ndryshe. Duhet të jemi realistë, është edhe meritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kam përshtypjen që vizita dje e zyrarit të lartë të SHBA, ishte më shumë një mesazh për shqiptarët. Gjatë gjithë kohës, në zyrat e SPAK-ut kemi prezencë të SHBA.

Dihet që kjo mbështetje që i kanë dhënë SHBA zotit Dumani dhe vizionit të tij, pa bërë 10 muaj, zoti Dumani të ketë një rezultat kaq të prekshëm dhe optimist për shqiptarët pa dallim”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!