Heshtja për atentatin ndaj Prokurorit Ndoj, asnjë reagim nga qeveria dhe institucionet e drejtësisë

schedule14:45 - 2 November, 2019

schedule14:45 - 2 November, 2019

Gati 24 orë nga momenti i atentatit me armë ku mbeti i plagosur prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj dhe dy personat e tjerë që udhëtonin me të në të njëjtin mjet, të vetmet reagime për ngjarjen e rëndë kanë ardhur nga selia blu.

Qeveria dhe asnjë përfaqësues e i saj nuk ka bërë asnjë reagim qoftë edhe formal për të dënuar aktin e plagosjes së një pjesëtari të sistemit të drejtësisë, ndërkohë që në heshtje kanë qëndruar edhe të gjitha institucionet e tjera të këtij sistemi.

Për ngjarjen ndaj prokurorit Ndoj deri më tani ka munguar një reagim nga Prokuroria e Durrësit, pjesë e së cilës ai ishte që në vitin 2008. Asnjë reagim nuk ka ardhur as nga Prokuroria e Përgjithshme, ndonëse drejtuesja e saj e përkohshme Arta Marku u nis drejt Durrësit pas ngjarjes, ndërsa drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela vizitoi prokurorin në Spitalin e Durrësit. Edhe Shoqata e Prokurorëve dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë qëndruar në heshtje.

Ndoshta sulmet publike të bëra nga Kryeministri Rama dhe zëvendësi i tij Brace për prokurorin Arjan Ndoj kanë kompleksuar të gjitha këto institucione që të heshtin për atentatin. Pak orë pas ngjarjes në një reagim në rrjetet sociale, kreu i PD e ka cilësuar atentatin ndaj prokurorit Ndoji si ngjarjen më të rëndë mafioze në vend, që sipas tij u parapri nga kërcënimet direkte të Kryeministrit Rama dhe zëvendëskryeministrit. /abcnews.al