Heroi i “Luzitanëve”, Diogo Costa një specialist i vërtetë për penalltitë

schedule20:36 - 3 Korrik, 2024

schedule 20:36 - 3 Korrik, 2024

Mbrëmja e 1 korrikut nuk do të harrohet lehtë, kjo pasi Portugalia dhe Cristiano Ronaldo u shpëtuan nga një turp dhe një njollë në Kampionatin Evropian, ku ishin në prag të eliminimit prej Sllovenisë, ku heroi ishte portieri Diogo Costa, i cili priti të treja penalltitë e ballkanasve, me Ilicic, Balkovec dhe Verbic dështuan që të tre.

Shumëkush u habit, por për vetë portugezët kjo nuk ishte edhe aq e papritur, pasi Diogo Costa e e ka treguar veten më parë, me fanelën e “Dragonjve” të Porto. Ai është një protagonist i madh në Champions, duke spikatur në dy ndeshje të grupeve në 2022-2023.

Fillimisht, ai shërbeu asist për gol, në fitoren 3-0 të Porto në stadiumin e “Aspirinave” të Bayer Leverkusen dhe në po atë ndeshje, gardiani priti 11-metërsh dhe e ruajti portën të paprekur, duke vendosur një rekord të ri, pasi asnjë portier nuk ia kishte dalë me asist, pritje penalltie, dhe mospësim goli në një sfidë të vetme në Champions League.

Heroizmi i tij vazhdoi në duelin në fushën e Club Brugge, në Belgjikë, në të njëjtin sezon dhe në të njëjtin grup, ku Diogo Costa priti dy penallti në atë ndeshje dhe kampionia e Portugalisë fitoi 4-0, duke realizuar një “hakmarrje” pas humbjes po 0-4, në “Estadio do Dragao”.

Me një portier të tillë padyshim që portugezët kanë shpresë në çerekfinalen masive ndaj Francës në Euro 2024.

Ku i dihet, Diogo Costa mund të jetë një Dukadam i ri, për të përsëritur atë që portieri I madh rumun bëri në finalen e Championsit në 1986, duke pritur 4 penallti për Steaua Bucuresti në suksesin ndaj Barcelonës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!