Hera e parë në 40 vite, SHBA ofron miliona dollarë për Tajvanin

schedule11:52 - 6 Nëntor, 2023

schedule 11:52 - 6 Nëntor, 2023

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar një grant me vlerë 80 milionë dollarë për Tajvanin, që do të përdoret për të blerë pajisje ushtarake amerikane. Vendimi u kundërshtua fuqishëm nga Kina.

Edhe pse shuma nuk mund të duket e madhe pasi sipas BBC, Tajvani ka porositur deri tani 14 miliardë dollarë armatime nga SHBA-ja, ajo tërhoqi vëmendjen për një arsye madhore.

Ishte hera e parë në 40 vite që SHBA-ja i dhuroi para nga taksapaguesit amerikanë një shteti që zyrtarisht nuk e njeh.

E gjithë kjo u bë në kuadër të programit FMF , Financimi i Ushtrive të Huaja. Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, vitin e kaluar, përmes këtij programi Kievit i janë dërguar ndihma ushtarake me vlerë 4 miliardë dollarë.

Gjithashtu, ai është përdorur për të dërguar miliarda të tjerë në Afganistan, Irak, Izrael dhe Egjipt, por kurrë një vendi që nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Objektivi amerikan ka qenë armatimi i Tajvanit mjaftueshëm sa për t’u mbrojtur nga një pushtim i mundshëm kinez, por jo aq shumë sa për të destabilizuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit, sidomos në aspektin ekonomik.

Por në dekadën e fundit, Kina ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në ngushticën e Tajvanit dhe ka bërë që formula e vjetër të mos funksionojë më.

Ëang Ting-yu, deputet i partisë në pushtet në Tajvan, thotë se 80 milionët mund të jenë vetëm “maja e një ajsbergu” shumë të madh.

Për herë të parë që prej vitit 1970, Tajvani do të dërgojë dy batalione për stërvitje ushtarake në SHBA, ndërsa ndihma financiare për blerje armatimesh në 5 vitet e ardhshme mund të arrijë deri në 10 miliardë dollarë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!