Heqje mikrofonash dhe përplasje mbi tavolinë, “taktikat” e Foltores për të bllokuar punimet në Kuvend

schedule17:46 - 30 Tetor, 2023

schedule 17:46 - 30 Tetor, 2023

Grupi i Foltores, Bardhi-Berisha dhe deputetët që i mbështesin kanë shkaktuar tension dhe kaos në seancën plenare të kësaj të hëne në Kuvend.

Ata kanë përdorur disa “taktika”, në mënyrë që seanca të mos vijojë normalisht.

Sapo deputetët socialistë marrin fjalën, ata të Foltores shkojnë te vendi i tyre, duke i hequr mikrofonat, apo dhe duke i marrë kartat e votimeve. Gjithashtu, ata përplasin edhe dorën në tavolinë, apo iu grisin fjalimet deputetëve socialistë.

“Ka qenë e pamundur që socialistët  të flisnin, teksa grupi i Foltores, Bardhi dhe Berisha, dhe deputetët që i mbështesin, u rrinin mbi kokë, duke përpasur dorën mbi tavolinë, duke iu grisur fjalimet, apo duke iu bërtitur në mënyrë që ata të mos dëgjoheshin. Me gjasë, ajo që po ndodh sot, do t’i kushtojë disa deputetëve të opozitës, përjashtim me 10 ditë, për të pasur një seancë parlamentare më të qetë të enjten”, raporton gazetarja e ABC News, Esiona Konomi.

Seanca plenare e kësaj të hëne në orën 17:00 nisi menjëherë me tensione, ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita.

Sali Berisha, i rikthyer në Kuvend me 22 deputetë, bllokuan Foltoren e Kuvendit.

Ndërkaq, deputeti demokrat, Bledion Nallbati u përplas fizikisht dhe goditi deputetin socialist, Vullnet Sinaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!