Heqja e ndihmës sociale zemëron italianët, 60-vjeçari tenton të djegë kryebashkiakun

schedule11:50 - 1 Gusht, 2023

schedule 11:50 - 1 Gusht, 2023

Vendimi i qeverisë së Giorgia Meloni që çdo institucion italian i sigurimeve shoqërore të ndalojë ndihmën sociale për qytetarët e papunë dhe me të ardhura të ulëta ka shkaktuar pakënaqësi në Itali, sipas mediave.

Ekzekutivi në Romë ka miratuar një formë të re ndihme, me masën e emëruar “të ardhurat nga përfshirja sociale”, e cila nuk i kalon 6000 euro në vit.

Ata që nuk do të përfitojnë prej kësaj ndihme, do të kenë mundësinë të aplikojnë për grantin prej 350 eurosh në muaj për një periudhë 1-vjeçare, me kusht që të ndjekin njëkohësisht kurse të formimit profesional.

Por vendimi ka revoltuar italianët kryesisht në rajonet e varfëra në Jug të vendit, ku  ka një shkallë të lartë papunësie.

Incidenti më i rëndë që vjen si pasojë e këtij vendimi të qeverisë është regjistruar në Terrasini, një bashki në Palermo, ku një qytetar ka hyrë në dhomën e kryetarit dhe ka kërcënuar atë duke thënë se do t’i vendosë flakën.

Sipas mediave italiane, 60-vjeçari që sapo kishte marrë lajmin se do të humbiste të ardhurat bazë, hyri në dhomën e kryetarit të bashkisë duke e larë me benzinë dhe duke kërcënuar se do t’i vinte flakën gjithçkaje.

Administrata e bashkisë ka përjetuar momente frike, ndërsa Sekretari i përgjithshëm, Cristofaro Ricupati  u përpoq të bisedonte me burrin e acaruar. Në fund ka qenë kryetari i këshillit bashkiak ai që ka bindur 60-vjeçarin të heqë dorë nga akti që synonte të realizonte dhe më pas kanë ndërhyrë karabinierët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!