“Heqja e gjuhës shqipe nga përdorimi zyrtar, fuçi baruti”, Ali Ahmeti: Evropa, më e fortë me Ballkanin të integruar

schedule10:14 - 2 Nëntor, 2024

schedule 10:14 - 2 Nëntor, 2024

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duhet ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshme, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Ndërkaq në lidhje me përdorimin ose jo të gjuhës shqipe ka deklaruar se “prekja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ka për të qenë ‘fuçi baruti’”.

Si lider i opozitës ai, ka paralajmëruar zgjidhje ligjore për tejkalimin e mospajtimit të Frontit opozitar Evropian me vendimin e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, për të marrë në Qeveri grupimin politik VLEN. Ai ka pohuar se po punohet në një material, nga i cili “do të dalë një ligj, dukshëm në mbrojtje të legjitimitetit”.

Duke ritheksuar angazhimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulën e saj, Ahmeti ka nënvizuar se me këtë ndryshim, maqedonasit nuk humbin asgjë.

“Përkundrazi, bëhet dallimi mes komunitetit bullgar dhe atij maqedonas”, është shprehur kreu i BDI-së.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, këtë javë Komisioni Evropian (KE) ka publikuar Raportin e vet të Progresit edhe për Maqedoninë e Veriut. Gjetjet janë se Shkupi ka ngecje në realizimin e reformave të kërkuara. Veçmas kur është fjala për ndryshimin e Kushtetutës dhe vendosjen e shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. Si e keni lexuar ju këtë Raport?

Ali Ahmeti: Më 5 nëntor unë pres ambasadorin e Bashkimit Evropian në takim, për të dëgjuar drejtpërdrejt lidhur me Raportin. Por, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam informacion, si dhe e di përmbajtjen e tij. Është një e vërtetë e madhe që Republika e Maqedonisë së Veriut ka ngecje në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me palën bullgare, si kusht i domosdoshëm që ky moment të ndodhë: që minoriteti bullgar të përfshihet në kategorinë kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Ne, në vazhdimësi kemi apeluar që ndryshimi i Kushtetutës duhet bërë, sepse nuk humbin asgjë bashkëqytetarët tanë maqedonas, përkundrazi bëhet dallimi mes komunitetit bullgar dhe atij maqedonas.

Kjo është një histori e gjatë, sepse ne kemi qenë të interesuar të mos jemi palë e konfliktit, palë e përçarjes, por e unifikimit të qëndrimeve me bashkëqytetarët tanë maqedonas. Ne asnjëherë nuk e kemi kontestuar as historinë, as gjuhën, as kulturën, dhe komuniteti maqedonas ka pasur përkrahje të plotë për problemet që kërkonin një zgjidhje, si me palën greke ashtu edhe me palën bullgare. Por, si duket, kjo përkrahje që u është dhënë nga komuniteti shqiptar bashkëqytetarëve maqedonas, nga një pjesë e partive politike është keqpërdorur.

Nuk mund të them se është keqkuptuar kjo përkrahje, sepse në mënyrë të organizuar dhe mjaft të sofistikuar është bërë një propagandë antishqiptare, se “ja, shqiptarët na mbështesin në zgjidhjen e këtij problemi” me prapavijë se duan të ndërtojnë “Shqipërinë e madhe” ose “Bullgarinë e madhe”. Këto janë shpifje, mund t’i quaj lirisht lajme të rrejshme me qëllim që të ketë një ftohje dhe përplasje midis dy komuniteteve më të mëdha – shqiptar dhe maqedonas.

Stabiliteti, paqja, dhe ardhmëria e këtij shteti varen nga harmonia, nga komunikimi dhe bashkëpunimi që mund të ndërtojnë politikat e përbashkëta progresive të dy komunitetet më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptarët. Mendoj se partitë politike duhet të reflektojnë në këtë drejtim dhe të mos nxisin urrejtje etnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ashtu siç ndodhi me politikat e VMRO-së këto shtatë-tetë vjet sa ishim në koalicion me LSDM-në, se gjoja shtetin po e marrin shqiptarët, e uzurpuan shqiptarët… E, në fakt, shqiptarët nuk kanë marrë asgjë të huaj, kanë marrë hisen e vet që u takon. Ashtu siç bënte propagandë edhe Lidhja Socialdemokrate (LSDM) kur ne ishim në koalicion me VMRO DPMNE-në.

Atëherë, nëse ju kujtohet, pati kriza të jashtëzakonshme brenda shtetit, si përgjimet dhe marrëveshja e Përzhinës, ku LSDM-ja gjithmonë thoshte që BDI-ja është patericë e VMRO-së. Ne, prioritet kishim vënë të ruanim interesat shtetërore dhe jo ato parciale e politike.

Ne nuk mund të binim në grackën e propagandës fyese që bënte LSDM-ja, se ne ishim patericë e VMRO-së. Kështu, e çuam vendin drejt komunikimit mes partive, si VMRO-së, ashtu edhe LSDM-së, BDI-së dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), si parti opozitare e kohës që ishte, dhe arritëm deri te Marrëveshja e Përzhinës, duke siguruar stabilitet për shtetin dhe vazhdimësi të proceseve.

“Heqja e gjuhës shqipe nga përdorimi zyrtar, e rrezikshme”

Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar keni nisur dy letra – në adresa të qendrave të vendosjes jashtë vendit dhe me një i jeni drejtuar kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Në to pohoni se po vihet në pikëpyetje Marrëveshja e Ohrit. Ku e mbështesni një vlerësim të këtillë?

Ali Ahmeti: Kjo është më se e dukshme. Këtë e shohin edhe zogjtë mbi çati. Është hequr etnia. Asgjë nuk është balancuesi; çfarë do të thotë të heqësh përfaqësimin etnik në institucione tash e tutje. Partia politike më e madhe maqedonase (VMRO-DPMNE), në emër të cilësisë, do të bëjë përzgjedhjen e maqedonasve, pasi gjoja shqiptarët nuk i plotësojnë standardet, nuk i plotësojnë kriteret. Kjo është bërë me një prapavijë të sofistikuar, që shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në organet e shtetit, në administratën publike, në gjyqësor, prokurori, polici, sepse ata janë të ‘paaftë’, shkollohen nëpër universitete ku diplomat i marrin pa shkuar ‘asnjë ditë në shkollë’.

Kjo dëgjohet çdo ditë nga përfaqësues të partive politike maqedonase, të cilët i ofendojnë shqiptarët si ‘të paditur’, duke fyer universitetet shqiptare si [gjoja] institucione të hapura vetëm për të grumbulluar mjete financiare dhe për të mbajtur në punë njerëz të pamerituar, të cilët diplomat e tyre i kanë marrë me të holla, nëpër universitete të ndryshme të rajonit.

Tjetra, vetë z. Mickoski e pohoi se asgjë nuk ndodh nëse largohen dy-tri dispozita në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Këto dy-tri dispozitat që përmend z. Mickoski janë sigurisht fuçi baruti, po i preke. Po u hoq gjuha shqipe nga përdorimi në gjyqësor, prokurori, apo në institucionet e larta të shtetit, do të thotë se gjuha shqipe nuk do të ketë statusin e gjuhës zyrtare. Këto janë gjëra tepër të rrezikshme. Unë kam pasur shqetësim, dhe këtë shqetësim e kam ndarë me nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimin Evropian, dhe SHBA-në, pasi lehtësues dhe ndërmjetësues të kësaj marrëveshjeje janë këto dy shtete.

Në aspektin e ushtrisë, garantues për amnisti është NATO-ja. Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) ka nënshkruar marrëveshje për amnisti me NATO-n, ku nga pala e UÇK-së e kam nënshkruar unë si Komandant i Përgjithshëm, ndërsa nga pala e shtetit e ka nënshkruar ish-presidenti Boris Trajkovski.

“Përgjegjësia për zbatim të marrëveshjeve, te përfaqësuesit e zgjedhur”

Radio Evropa e Lirë: Reagimi i parë ndaj letrës suaj ishte ai i ish-diplomatit amerikan Daniel Server: “Po për Ali Ahmetin për çështjen e gjuhës; Jo për Qeverinë për çështjen e identifikimit etnik të administratës. Dhe, zgjedhësit le të vendosin për çështjen e përfaqësimit të drejtë”. Si e shihni një qasje të këtillë të Serverit, që është njohës i mirë i rrethanave në Ballkan?

Ali Ahmeti: Z.Daniel Server ka një vlerësim të drejtë. Mirëpo, te çështja e përfaqësimit të drejtë të etnive, zgjedhësit nuk bëjnë përzgjedhjen e administratorëve, gjykatësve apo prokurorëve.

Zgjedhësit bëjnë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre politikë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve e kanë përfaqësuesit e zgjedhur. Pra, ata duhet t’i jetësojnë ato, t’i materializojnë.

Radio Evropa e Lirë: Keni marrë reagime të tjera për letrën e drejtuar edhe në adresë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken?

Ali Ahmeti: Zakonisht, shtetet nuk komunikojnë me letra ndaj reagimeve që unë kam bërë. Dhe, kjo nuk është hera e parë. Në disa momente kyç të shtetit, unë jam drejtuar me letra, ku ata organizojnë takime për t’i parë zhvillimet dhe situatat drejtpërdrejt. Nëpërmjet komunikimeve ndërmerren masa që fenomene të tilla të mos ndodhin.

“Të gjithë duhet ta ngrenë zërin për çështjen e gjuhës dhe përfaqësimit etnik”

Radio Evropa e Lirë: Po çfarë prisni nga Tirana e Prishtina zyrtare, kur e para – thuhet se është në mbështetjen tuaj, ndërsa e dyta – pro grupimit politik VLEN?

Ali Ahmeti: Për çështjen e gjuhës, çështjen e përfaqësimit etnik, mospranimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit, duhet të gjithë të ngrenë zërin. Këto çështje janë të ndjeshme dhe nuk është vetëm punë e BDI-së që t’i dalë zot dhe ta ngritë zërin e shqetësimit.

Të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta ngrenë zërin, që gjuha shqipe mos t’u rrezikohet dhe përfaqësimi etnik të mos cenohet. Kjo nuk është çështje partiake, por një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por u takon edhe shqiptarëve të Shqipërisë. Institucionet në Shqipëri, i obligon dhe detyron Kushtetuta që të ngrenë zërin kundër padrejtësive që mund t’u shkaktohen bashkëkombësve të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo në Serbi, apo në Mal të Zi.

Edhe Kosova ka një obligim moral dhe kombëtar që ta ngrejë zërin dhe të mos pajtohet me rrezikimin apo cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Shihni çfarë pasojash ka. Nuk është mirë të bëhet ndërhyrje, as nga Shqipëria, as nga Kosova, po as ne nga Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërhyjmë në procese, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Rrethanat i njohin më së miri ata që jetojnë dhe organizohen politikisht, si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë. Ata e dinë se si duhen zgjidhur problemet. Populli që jeton andej e di më së miri se kush mund t’i përfaqësojë më së miri qytetarët, shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Çdo ndërhyrje e mundshme mund të sjellë, fërkime, mospajtime apo hidhërime ndaj politikanëve, qofshin në Shqipëri apo Kosovë. Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, i cili është ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet, pra është përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit.

Stoilkoviqi është mik i [Vladimir ] Putinit dhe i [Aleksandër] Vuçiqit, gjë që ai e pranon dhe madje krenohet me të. Ky është rezultat i mosnjohjes së rrethanave në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo ndërhyrje që është bërë nga autoritete, jo të gjithë, nga Kosova, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Platforma për legjitimitetin”

Radio Evropa e Lirë: Përtej polemikave e përplasjeve politike, ju këto ditë jeni në terren me anëtarë e simpatizantë të partisë suaj. Më herët angazhuat edhe një ekspert ndërkombëtar, Paul Williams, për hartimin e asaj që e keni quajtur platformë për legjitimitetin. Si mendoni ta operacionalizoni këtë kur edhe nga kryeministri Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE, por edhe nga grupimi politik VLEN, që është pjesë e Qeverisë, janë duke i hedhur poshtë pretendimet tuaja për këtë çështje?

Ali Ahmeti:Atyre u takon që t’i hedhin poshtë këto pretendime. Por, këto nuk janë thjesht pretendime; janë një realitet që do të ndodhë. Është përgatitur një material voluminoz lidhur me legjitimitetin nga eksperti dhe hartuesi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit, z.Paul Williams. Jemi duke përpunuar të gjithë këtë material së bashku me Frontin Evropian dhe me ekspertë vendorë. Nga ky material do të dalë një ligj, dukshëm në mbrojtje të legjitimitetit.

Kjo çështje është rregulluar me Marrëveshjen e 29 majit, të vitit 2007, e cila u arrit midis BDI-së dhe kryeministrit të atëhershëm, si dhe kryetarit të VMRO DPMNE-së, z. Nikola Gruevski. Sipas kësaj marrëveshjeje, mandatari obligohet që negociatat t’i bëjë me partinë fituese të komunitetit të dytë më të madh në vend.

Megjithëse kjo çështje është keqinterpretuar, se marrëveshja e definon “fituesi me fituesin”. Nuk është kështu. Marrëveshja e obligon mandatarin, sepse komuniteti i dytë nuk mund të ketë rolin e mandatarit, sepse është komunitet i dytë. Partia më e madhe në vend, është e komunitetit të parë. Praktikisht, mandatari është nga komuniteti maqedonas nga ku obligohet që negociatat për formimin e Qeverisë, t’i bëjë me partinë e parë fituese të komunitetit të dytë më të madh në vend.

Edhe pse kjo anashkalohet, ne kemi hyrë më hollësisht për ta përpunuar dhe për ta sanksionuar me ligj përfaqësimin e partisë fituese në komunitetin e dytë më të madh në vend, siç janë shqiptarët.

Radio Evropa e Lirë: Në fakt, pushteti i ri thuajse çdo ditë ju dërgon mesazhe që të mësoheni me rolin e ri të opozitarit, dhe sikurse është thënë, të përgatiteni për t’u përballur me drejtësinë?

Ali Ahmeti: Këto janë “ilahie” që i dëgjoj çdo ditë. Por, nuk kam dëgjuar t’ju përgjigjen kërkesave të BDI-së dhe Frontit Evropian për çështje parimore që garantojnë paqe, stabilitet, siguri dhe një të ardhme për vendin.

E para, anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian. E dyta, hajde të biem dakord. Të bëjmë vetting për të gjitha institucionet e shtetit: për përfaqësuesit e partive politike, deputetët, ministrat, kryetarët e komunave, prokurorët, gjykatësit. Të bëjmë një skaner për të gjithë këta, sepse gjyqësia është në nivelin më të ulët të besueshmërisë. Të bëjmë gjyqësi të besueshme, kredibile, për qytetarët.

…çdo prekje, që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit etnik, ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka pasoja të rënda dhe na kthen prapa”.

Pika e tretë është hapja e hetimeve për të gjitha partitë politike. Së katërti, pse të mos hapen hetime për prejardhjen e pasurisë së të gjithë politikanëve në vend? Hetime mbi privatizimin e viteve 1991-1992. Dy miliardë euro ka qenë kostoja e privatizimit. Ku përfundoi pasuria shoqërore?

Dhe e fundit, legjitimiteti. Pse shqiptarët të dalin në zgjedhje kur dikush tjetër zgjedh përfaqësuesit e tyre? Kjo ishte teoria e Sllobodan Millosheviqit: të zgjedhim dhe të mbajmë afër “shqiptarët e ndershëm”. Dhe unë, në kohën e tij e kam luftuar regjimin, nga ku isha “shqiptari i keq”. Sinan Hasani, Rahman Morina ishin “shqiptarët e mirë”. Tani, në vitin 2024, këtu, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, unë sërish jam “shqiptari i keq”.

Çdo grithje, çdo prekje, që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit etnik, ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka pasoja të rënda dhe na kthen prapa. Kështu veproi sistemi i kaluar.

Në fund të viteve ’50, në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së atëhershme i hoqën shqiptarët nga emërtimin “albanci” dhe i zëvendësuan me “shiptari”. Kjo çështje u rregullua në vitin 1974, nga ku e hoqën“shiptari”, dhe e vendosën “albanci”.

Më ‘89, ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë për shqiptarët si element konstituiv. Hiqen nga Kushtetuta shqiptarët dhe të gjitha etnitë tjera, dhe vendi shndërrohet në Republikë vetëm të kombit maqedonas. Ky është gjeneratori i krizës, se u mbetëm në qafë shqiptarëve.

Shqiptarëve ua morën të gjitha të drejtat, i burgosën, i shantazhonin. Ky është gjeneratori që shkaktoi krizën, dhe shpërtheu në kryengritje të armatosur, pasi shqiptarëve u erdhi te hunda keqtrajtimi, diskriminimi, nënçmimi, poshtërimi.

Kështu si kanë filluar tani t’ua bëjnë këto poshtërime shqiptarëve, nuk është mirë për komunitetin maqedonas, dhe zërin larg duhet ta ngrenë edhe qytetarët maqedonas, për këto tentativa për të na kthyer mbrapa, në…. gërvishtje, nënçmime të komunitetit shqiptar.

Duhet të angazhohemi bashkë, krah për krah, të dyja komunitetet më të mëdha, maqedonas dhe shqiptarë, t’i zgjidhim problemet, ta forcojmë ekonominë e shtetit. Hajde le të urdhërojnë të bëjnë vetting. Para tetë vjetësh e kam propozuar, që të hapet vettingu për partitë politike. E kam propozuar si në prokurorinë e atëhershme që u formulua, ashtu edhe te prokurori i Përgjithshëm i Shtetit. Ndonëse prokurorin e kam kushtëzuar që të votojë nëse hap vetting për BDI-në. Le të urdhërojnë.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Mickoski, të enjten, nga foltorja e Kuvendit, e sfidoi opozitën me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Cila është përgjigjja juaj?

Ali Ahmeti: Unë mendoj që Hristijan Mickoski duhet ta mbajë fjalën. T’i qëndrojë fjalës së dhënë. Ne, si BDI, si Front Evropian e përshëndesim këtë deklaratë dhe presim që zgjedhjet e ardhshme komunale që janë në tetor të vitit të ardhshëm, të jenë bashkë me ato parlamentaret.

“Evropa, më e fortë me Ballkanin Perëndimor të integruar”

Radio Evropa e Lirë: Dhe, së fundi, çfarë zhvillimesh parashikoni deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. A mendoni se Maqedonia e Veriut, kjo mazhorancë, do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese?

Ali Ahmeti: Në qoftë se shteti do progres, ky moment duhet të ndodhë. Pra, të bëhen ndryshimet kushtetuese. Këtë e kërkon edhe rajoni, por edhe Evropa e Uashingtoni. Na duhet një Ballkan Perëndimor i qetë, pa probleme, tërësisht i pajtuar me fqinjët.

Ky Ballkan ka pasur shumë tragjedi brenda këtij çerekshekulli, dhe kjo periudhë nuk është e gjatë. Akoma ka njerëz të pagjetur, ka njerëz që vuajnë. Kështu që, këtij rajoni i duhet pajtim, i duhet të ndërtojë të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Rreziqe të mëdha ka. Evropa është në luftë. Okupimi i Ukrainës na ka vënë në situatë goxha shqetësuese. Lufta në Lindje të Mesme është me pasoja dhe rreziqe të mëdha.

Mendoj se jo vetëm Ballkanit i duhet pajtimi, por një unitet i duhet edhe tërë Evropës. Evropa bëhet më e fortë me Ballkanin Perëndimor duke e integruar në hapësirën e vet, si në fushën politike dhe atë ekonomike.

E ardhmja nuk është te luftërat. E ardhmja është një Ballkan i pajtuar, në zhvillim, si në ekonomi ashtu edhe në ngritje të institucioneve të sundimit të ligjit, në luftë kundër krimit e korrupsionit. Kjo luftë nuk bëhet e vetmuar, por në bashkëpunim me të gjitha shtetet e Evropës./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!