Heqin Alibeajn nga ‘Zgjedhorja’/ Berisha-Bardhi largojnë mbështetësit e Bashës nga komisioni

schedule18:21 - 19 Shtator, 2023

schedule 18:21 - 19 Shtator, 2023

Nga Tirana në Kukës, në bashkinë që të dielën zgjedh kryebashkiakun, shkruan Berisha e Bardhi, së bashku me mbi 30 deputetë të tyre. Zgjedhja e qytetit nuk ishte më kot. Emri Vata, është zgjedhja e Primareve të Foltores, por bashkimi i Bardhit me Berishën, kërkoi demostrimin e këtij bashkimi.

Por të tjerat lidhen me kryeqytetin dhe luftën e hapur me Lulzim Bashën në Parlament dhe privilegjet e tij si kryetari i vulës, që mund të marrë dhe postin e kreut të grupit. Reforma Zgjedhore do të jetë molla e sherrit të radhës. Lulzim Basha luan me statut, Gazment Bardhi vijon lojën me postin e kreut të grupit dhe numrin më të lartë të deputetëve.

Asnjë prej të Bashës, as Enkelejd Alibaj që është bashkëkryetar i Komisionit aktual, nuk duan ta kenë më në përbërje të Komisionit që do të bëjë reformën e re zgjedhore, komision që ka dështuar në dy mandate të tij, të nis punën.

Që kjo përbërje të pranohet, në fillim duhet që Nikolla të thotë fjalën e fundit, njeh Bashën apo Bardhin si kryetar. Së dyti, të ketë një vendim për ringritjen e Komisionit Zgjedhor, e për pasojë një përbërje të re, të ndryshme nga ajo e propozuar prej Bashës, rreth 2 vite më parë.

Megjithatë mes emrave është dhe Shpëtim Idrizi, zyrtarisht në Opozitë, edhe pse votat i ka bashkuar me maxhorancën dhe në asnjë prej takimeve të opozitës nuk merr pjesë, siç bëjnë aleatët tradicional të PD.

Dy grupet, të Bashës e të Bardhit, janë në pritje për të nisur negociatat me PS-në, që pas një dështimi, në dhjetor të vitit të kaluar, të zgjedhin një Avokat Populli. Por edhe këtu secili prej grupeve ia njeh vetes të drejtën, për të propozuar dhe bashkuar votat me socialistët.

Në takimin pa media, një prej deputetëve që qëndroi me Bashën në selinë e PD, kur u sulmua nga Berisha, Ervin Salianji propozoi masë ndëshkimi të fortë, për Bashën dhe 10 deputetët e tij.

“Kushdo që voton pro qeverisë dhe bashkohet me ta në kundërshtim me vullnetin e shumicës së grupit parlamentar të PDSh duhet të përhashtohet nga grupi! Formacionet ndihmës-qeveritare nuk mund te kamuflohen si deputete opozitarë!”, tha Salianji.

Në këtë takim të tretë sërish mungoi deputetja Jorida Tabaku, që nuk ka marr pjesë në asnjë prej mbledhjeve që janë mbajtur në Tiranë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!