Që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2015, më shumë se 15 milionë amerikanë kanë mbushur moshën 18-vjeçare, gjë që i ka bërë të rinjtë një bllok të rëndësishëm votuesish në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Sikurse edhe prindërit e tyre, vota e të rinjve nuk është monolite apo një bllok i unifikuar që përputhet në të gjitha çështjet dhe demografinë. Si raca, po ashtu edhe gjinia do të ndikojë tek vota e të rinjve në mënyrën e vet.
Mes votuesve të lindur ndërmjet viteve 1981-1996, gratë kanë më shumë gjasa të identifikohen ose mbështesin Partinë Demokrate, sipas Qendrës Kërkimore Pew.
Hulumtimet nga PEW tregojnë se 60% e grave të brezit të mijëvjeçarit mbështesin Partinë Demokrate ndërsa 31% e tyre e mbështesin Partinë Republikane që njihet shkurtimit si GOP. Por tek meshkujt e brezit të mijëvjeçarit, hendeku është më i vogël, me rreth 48% që mbështesin Partinë Demokrate dhe 44% Partinë Republikane.
“Çështjet gjinore kanë pasur rol të rëndësishëm për mua, kryesisht kur flitet në lidhje me komunikimin me një gjini tjetër”, tha Christian Lohrenz, student i Universitetit Shtetëtor të Minesotës në Mankato. “Të drejat e LGBTQ, barazia, këto janë çështje të rëndësishme për mua. Për shembull ndalimi që transgjinorët të sherbejnë në ushtri, çështje që nuk pajtohem dhe isha i vetëdijshëm në përzgjedhjen e kandidatit për të votuar.”
Lohrenz tha se do të votonte për demokratin Biden sepse pajtohet me idetë e fushatës së zotit Biden për arsimin, reformën në drejtësi dhe ndryshimet klimatike.
60% e të rejave të anketura mes moshave 18-29 vjeçe thonë se do të votojnë për zotin Biden, sipas të dhënave hulumtuese nga “Center for Information and Research on Civic Learning and Engagement” (CIRCLE) pranë Universitetit Tuffts në Medford të shtetit Masaçusets.
Anketa parazgjedhore nga organizata CIRCLE mes brezit tëmijëveçarit tregon se kandidati Joe Biden gëzon mbështetje të madhe tek gratë e reja jo të bardha, me rreth 77% mes grave aziatike, 71% mes grave afrikano-amerikane dhe 61% mes grave hispanike.
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ata janë mbështetëse të kandidatit demokrat, sikurse shtrohet pyetja në anketë. Vetëm 30% e grave me ngjyrë e mbështesin fuqishëm zotin Biden.
Në anën tjetër, 81% e grave që i përkasin brezit të mijëvjeçarit nuk e miratojnë punën e Presidenti Donald Trump. Mes grave jo të bardha, shifra shkon në 94% për gratë aziatike, 88% për gratë hispanike dhe 85% për gratë afrikano-amerikane.
“Do të votoj për Joe Biden sepse nuk jam aspak dakord me disa prej politikave të Trumpit dhe mënyrën sesi ai i trajton njerëzit,” tha Jenna Petersen, studente në Universitetin Shtetëtor të Minesotës në Mankato. “A është Biden perfekt? Jo. Por është alternativa më e mirë, dhe ai mbështet politika për shëndetin e gruas, të drejtat e grave dhe ndryshimet klimatike”.
Kaylee Corvin, studente në Universitetin e Virxhinias, thotë se ndërsa nuk pajtohet gjithmonë me zotin Trump si individ, ajo do të votojë për të sepse ai përputhet më mirë me pikpamjet e saj politike.
“Të jesh në gjendje të mbrosh veten me armë zjarri do të thotë që të mos varesh nga qeveria. Mendoj se kjo është një gjë e madhe për fuqizimin e grave. Për çështjet e riprodhimit, anoj më shumë në krahun pro-jetës (kundër abortit). Por padyshim jam më shumë pro masave për planifikim familjar, pro-qasjes për edukim seksual dhe qasje më të mirë në programet e birësimit për të mbështetur nënat”.
Studentja Grace Leto me Universitetin e Aeronautikës Embry-Riddle në Prescott të shtetit Arizona, thotë se favorizon dyshen Trump-Pence.
“Votova për Trumpin sepse besoj fuqishëm se ai është kandidati më i mirë. Ai e ka forcuar ekonominë tonë shumë gjatë katër viteve të fundit. Është i guximshëm në veprimet e tij dhe respekton misionin e ushtrisë.”
Konfirmimi kohët e fundit i gjykatëses Amy Coney Barret në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, tetë ditë para zgjedhjeve presidenciale, po ashtu ka nxjerrë në pah çështjet gjinore tek shumë të rinj.
Në përgjithësi, kandidati demokrat Joe Biden gëzon më shumë mbështetje mes grave sesa mes burrave. 55% e grave e mbështesin atë krahasur me 50% të burrave, sipas Qendrës Kërkimore Pew. 48% e burrave mbështesin Presidentin Trump krahasuar me 42% të grave./VOA