Ish-spiuni rus, Sergej Skripal, i helmuar me agjent nervor ka lënë spitalin në Britaninë e Madhe. Megjithatë, ai dhe e bija kanë akoma nevojë për trajtim mjekësor.
Sergej Skripal, ish-spiuni rus i helmuar me një agjent nervor në Salisbury, ka lënë spitalin. Kjo është bërë e ditur nga autoritetet shëndetësore britanike. Dalja nga spitali vjen pas një përmirësimi të gjendjes shëndetësore të njoftuar në javën e fundit, pasi fillimisht u raportua për dëmtime të pariparueshme.
Vetë insititucioni shëndetësor, ku ishte i shtruar theksoi me anë të një komunikate se Skripal, ashtu si e bija Julia, e cila ka lënë spitalin prej disa kohëve, do të kenë nevojë për kurime shtesë.
“Sergej SKriapl ndihet mjaftueshëm mirë për të lënë spitalin në Salisbury”, tha drejtoresha e spitalit.
Helmimi i ish-spiunit rus dhe të bijës kanë shkaktuar një krizë diplomatike mes Londrës dhe aleatëve të saj Perëndimorë me Rusinë, që akuzohet se është përgjegjëse për sulmin. 66-vjeçari u gjet pa ndjenja bashkë me të bijën në një pankinë me 4 Mars. Për shkak të këtij sulmi, Britania, SHBA dhe shumë shtete të tjera dëbuan diplomatë rusë. Gjithashtu edhe Kremlini u përgjigj me të njëjtën mënyrë./abcnews.al