Helmimi i qytetarëve në Bulqizë, ISHP: Mos e konsumoni ujin

schedule15:20 - 6 Maj, 2019

schedule 15:20 - 6 Maj, 2019

Banorët e Bulqizës janë helmuar nga uji i rrjetit dhe autoritetet e shëndetit u kërkojnë atyre të mos e konsumojnë. Ndërkohë më shume se 100 banorë kanë kërkuar ndihmë në spital.

Instituti i Shëndetit Publik i bën thirrje banorëve të Bulqizës të mos konsumojnë ujë nga rrjeti pasi ai mund të jetë i kontaminuar.

Përgjigjet e analizave të personave të helmuar ende nuk kanë dalë, por dyshimet e specialistëve bien mbi ujin.

Rovena Daja epidemiologe E ISHP: “Kjo rritje shumë e lartë e numrit të rasteve për një periudhë  të shkurtër kohe tregon q ndoshta kemi si shkaktar ujin. Duhet të themi që lagjja e vjetër e Bulqizës konsumon kryesisht ujin e rrjetit. Uji është e vetmja gjë e përbashkët që i lidh ata. Mendojmë se ai mund të jetë shkaktari i mundshëm i këtij shpërthimi. Ne për momentin i kemi udhëzuar që uji të mos konsumohet në mënyrë që të mos kemi raste të reja”.  

Edhe për mjekët e spitalit te Bulqizës nuk ka asnjë dyshim. Pas më shumë se 100 raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ata janë të bindur që helmimi ka ardhur nga uji i pijshëm.

Riza Ceni mjek, Bulqizë: “Helmimi ka ardhur nga uji”.

Por në analizat e bëra në laboratorin e Dibrës nuk ka ndotje biologjike. Mendohet që është diçka më e rende sesa thjesht një obolë.

Në Bulqizë situata nuk është aspak e mirë. Ka nga ata banorë që nuk pranojnë të shkojnë në spital dhe pse kanë shqetësime.

Alarmi për helmimin e popullatës u dha te shtunën në mbrëmje. Të gjithë banorët e lagjes së sipërme të qytetit, ose njohur ndryshe si qyteti i vjetër i Bulqizës, u helmuan.  Fëmijë dhe të rritur njeri pas tjetrit përfunduan në urgjencë me dhimbje barku, të vjella e këputje.

Ka dyshime ende jozyrtare, që uji të jetë infektuar nga gazrat e çliruar gjate shpërthimeve me tritol në galeritë e kromit. Megjithatë priten përgjigjet përfundimtare të analizave për të parë çfarë ka ndodhur në Bulqizë. Nga ana tjetër në qytet shpërndahen fletushka ku u bëhet thirrje banorëve të mos përdorin ujin e ujësjellësit por i kërkojnë bashkisë t’i furnizojë me autobote./ABC News Albania 24/7  

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!