Gjermania dhe Franca kanë thënë se do synojnë sanksione të Bashkimit Evropian për të shënjestruar individë që janë përgjegjës për helmim të Aleksei Navalnyt, pasi një vëzhgues global për lëndë kimike ka konfirmuar se një agjent i ndaluar nervor është përdorur kundër liderit opozitar rus.
Navalny prej muajt gusht ndodhet në Gjermani nën kujdesin e mjekëve, pasi është helmuar në muajin gusht me agjent nervor të grupit Noviçok. Ndërkohë Rusia ka hedhur poshtë çfarëdo përfshirjeje dhe i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të nisur hetime penale.
“Asnjë sqarim kredibil nuk është ofruar nga Rusia deri më tani. Në këtë kontekst, ne konsiderojmë se nuk ka asnjë sqarim të arsyeshëm për helmimin e Navalnyt përveç përfshirjes dhe përgjegjësisë ruse”, kanë thënë ministrat e Jashtëm gjerman dhe ai francez në një deklaratë të përbashkët.
Ndër të tjera Heiko Mass, dhe Jean-Yves Le Drian kanë shtuar se do të prezantojnë shumë shpejt shënjestrat për sanksione me partnerët e tyre evropianë.
Ky njoftim vjen pasi Organizata për Ndalim të Armëve Kimike, me bazë në Hagë, ka konfirmuar se “gjurmët e gjetura në gjakun dhe urinën e Navalnyt kanë karakteristika të ngjashme strukturore”, me toksinat kimike që u përkasin agjentëve të grupit Noviçok.
Këto të dhëna kanë konfirmuar rezultatet e Gjermanisë, Francës e Suedisë për rastin, që është dënuar ndërkombëtarisht dhe ka nxitur thirrje për sanksionim të Moskës për këtë rast.e.su./abcnews.al