Gjermania dhe Franca u kërkuan partnerëve të tyre të Bashkimit Evropian të hënën të konsiderojnë vendosjen e sanksioneve ndaj rusëve të dyshuar për helmimin e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny me një agjent nervor.
Berlini dhe Parisi thonë se nuk kanë pasur një shpjegim të besueshëm nga Moska për atë që Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) tha se ishte prania e agjentit nervor të ndaluar të epokës Sovjetike Novichok në trupin e tij.
“Kjo (shkelje e konventës kimike) nuk mund të mbetet pa pasoja,” u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ndërsa mbërriti në një takim të ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg, shkruan Reuters, përcjell abcnews.al.
Qeveritë perëndimore dhe NATO kanë thënë se Rusia, e cila ka mohuar akuzat nga Navalny se ishte përfshirë në helmimin e tij në gusht, duhet të ndihmojë në hetime ose të përballet me pasoja.
“Franca dhe Gjermania propozojnë vendosjen e sanksioneve ndaj njerëzve të caktuar që na tërhoqën vëmendjen në këtë drejtim,” tha Maas, pa dhënë detaje.
Diplomatët thonë se të dy vendet kanë në plan të propozojnë sanksione ndaj disa zyrtarëve të inteligjencës ushtarake ruse GRU.
Navalny u sëmur në një fluturim në Siberi më 20 gusht dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim. g.v/abcnews.al