Helmimi i mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit verën e kaluar, Prokuroria e Pejës jep detaje

schedule07:35 - 7 Shkurt, 2022

schedule 07:35 - 7 Shkurt, 2022

Prokuroria Themelore e Pejës sot do të mbajë konferencë për media, lidhur me hetimet rreth rastit të helmimit të mbi 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan, në korrikun e vitit të kaluar.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se konferenca do të mbahet në orën 12:00, në objektin e Prokurorisë në Pejë.

“Ftoheni të merrni pjesë në konferencë e organizuar për media nga Prokuroria Themelore në Pejë, ku temë diskutimi do jetë hetimi i rastit të helmimit të mija qytetarëve në komunën e Deçanit vitin e kaluar”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndryshe, mbi 1 mijë e 500 persona, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë janë helmuar në korrik të vitit të kaluar, në Deçan. Komuna kishte shpallur gjendje emergjente, ndërkaq Prokuroria kishte nisur hetimet se si kishte ardhur deri te helmimi i qytetarëve.

Dyshimet e para ishin se banorët e Komunës së Deçanit janë helmuar nga uji i pijshëm. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” kishte kërkuar që uji në fshatrat e Deçanit të mos përdoret për pije.

Në mesin e të helmuarve ishin edhe 51 fëmijë, të cilët ishin trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Që nga dita e shtunë e deri më tani kanë kërkuar ndihmë shëndetësore 77 qytetarë nga Deçani dhe atë 51 në repartin e pediatrisë dhe 26 në emergjencë“, patën thënë zyrtarë për informim të Spitalit të Pejës.

Ndërkaq drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, pati deklaruar për media se numri i personave të helmuar që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore në këtë qendër ka shkuar në mbi 1 mijë e 500.

Dy persona kishin vdekur përgjatë 24 orëve prej kur ishin regjistruar helmimet, ndërkaq mjekët nga QKUK-ja patën deklaruar për Express se viktimat kanë pasur probleme tjera shëndetësore. Njëri edhe probleme me zemër, andaj sipas tyre, vdekjet nuk janë lidhur me helmimin.

Për shkak të situatës së krijuar nga helmimet, vdekja e këtyre dy personave është cilësuar si e dyshimtë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, pati thënë për Express se pasi kanë marrë informatat në lidhje me vdekjet e dyshimta, për shkak të situatës së krijuar, prokurori kujdestar ka kërkuar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion.

“Pasi kemi pranuar informatat në lidhje me vdekjet e dyshimta dhe për shkak të situatës së krijuar në atë rajon, viktimat janë dërguar në mjekësi ligjore për obduksion dhe në varësi prej raportit do të zhvillohen edhe veprimet e mëtutjeshme. Fillimisht pasi kemi pranuar informatat, prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe IKSHPK’në që t’i marr disa mostra të ujit dhe të dërgohen në laboratorët e këtij instituti dhe varësisht nga rezultatet finale do të merren veprimet e mëtutjeshme procedurale“, ka thënë ai.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, pati deklaruar në një konferencë për media se për shkak se probleme me ujin e pijes ka pasur edhe njëherë gjatë këtij muaji, kjo i shtyn ata të mendojnë se këto probleme mund të jenë edhe të qëllimshme.

Ai ka ftuar institucionet përkatëse që të merren me këtë rast.

Ministri i Shëndetësisë i asaj kohe, Arben Vitia, pati vizituar komunën e Deçanit ku është takuar edhe me kryetarin e kësaj komune.

Ai pati deklaruar se dy vdekjet e dyshimta në këtë komunë nuk kanë të bëjnë me helmimin.

Ndërsa, drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani pati thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk tregon se helmimi ka ndodhur nga uji.

Megjithatë, ai ka thënë se ende po hetohet ky rast.

“Kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza permanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim”, ka thënë Ramadani./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!