Helmimi i banorëve në Dibër/ Prefekti: Uji rezultoi me ngarkesë të lehtë mikrobike në disa fshatra, është bërë dezinfektimi i depove

schedule12:20 - 9 Tetor, 2024

schedule 12:20 - 9 Tetor, 2024

Prefekti i qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu thotë se nga analizat e kryera, ka rezultuar se uji i kanalit të Sopanikës kishte ngarkesë të lehtë mikrobike. Ai tha se uji në burim ka dalë i rregullt dhe se është bërë një pastrim dhe dezinfektim i depove në fshatrat e banorëve që paraqitën shqetësime.

“Që nga orët e para të datës 7, kam marrë njoftim nga drejtoresha e spitalit se kemi fluks në rritje të qytetarëve, kryesisht nga zona e Fushë aliaj dhe Kastriotit, respektivisht janë 8 fshatra, një zonë me 3-4 mijë banorë që janë paraqitur me probleme të heqjes së barkut dhe të vjella. Ditën e parë kanë qenë rreth 100 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë, kryesisht kanë marrë serume ditore, rastet nuk kanë qenë të rënda. 6 vetë janë hospitalizuar, nga këta 5 fëmijë, dhe një i rritur por që edhe ata janë kthyer në shtëpi.

Pardje dhe dje ne kemi marrë kontakt me drejtorinë e spitalit, kujdesin shëndetësor që ka mjekët e familjes drejtorinë e ujësjellës kanalizimeve dhe jemi marrë me problemin. Deri sot në mëngjes nuk kemi patur rezultatet e analizave bakteriale. Në pikëpamje të kushteve fizike, kimike, uji ka qenë i pastër nuk ka patur probleme në analizat fiziko kimike.

Uji i kanalit të Sopanikës, në këto fshatra jo në burim, në burim ka dalë i rregullt, ka ngarkesë të lehtë mikrobike, që do të thotë uji momentalisht është i papërdorshëm për t’u pirë, edhe rezultatet e kanë dhënë se njerëzit jane paraqitur në spital. Dje, gjithë ditën të gjitha depot e këtyre fshatrave janë pastruar dhe dezinfektuar me klor.”, u shpreh prefekti i qarkut të Dibrës, Prefekti Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu./abcnews.al