Helmimet në Krujë, Manastirliu: 370 të prekur, të shtruar edhe fëmijë e adoleshentë, 2 janë pistat

schedule11:50 - 26 Tetor, 2021

schedule 11:50 - 26 Tetor, 2021

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga Kruja, ku ka vizituar nga afër qytetarët e shtruar në spital, për shkak të helmimit, tha se në mesin e pacientëve janë edhe fëmijë e adoleshentë.

Nga dita e diel deri sot sipas ministres në spital kanë përfunduar rreth 370 persona, me shenja të helmimit dhe që kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Aktualisht sipas saj situata është e qetë, ndërsa shtoi se sot janë paraqitur rreth 60 qytetarë, të cilët pasi kanë marrë shërbim janë nisur për në shtëpi.

Në spital momentalisht ndodhen 30 persona. Ministrja u shpreh se të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në gatishmëri dhe po kryejnë hetimet në të gjitha pistat e mundshme. Manastirliu njoftoi marrjen e mostrave dhe analizat laboratorike do të dalin për 24 deri në 72 orë.

Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve, të cilët kanë marrë dhe po vijojnë të marrin shërbim në spitalin e Krujës. Kam folur me mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Pra nuk kemi ndonjë qytetar që ka një gjendje të komplikuar shëndetësore. Praktikisht nga dita e dielë dhe deri më sot rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Janë paraqitur pranë spitalit të Krujës, kanë marrë shërbim e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit. Aktualisht gjatë ditës së sotme janë paraqitur rreth 60 qytetarë, të cilët ata kanë marrë shërbimin dhe janë nisur për në shtëpi pasi është vlerësuar që situata shëndetësore nuk ka qenë e rënduar. Tashmë janë dhe disa pacientë të tjerë të cilët janë duke marrë shërbim pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavione. Janë rreth 30 qytetarë aktualisht, janë adoleshtë edhe fëmijë gjithashtu edhe të rritur.” theksoi Manastirliu“.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se nëse do të ketë raste të shtuara janë marr masat që në dispozicion për trajtimin e pacientëve të vendoset një pavion i caktuar në Spitalin Rajonal të Durrësit. “Ju garantoj që i gjithë sistemi shëndetësor këtu në Bashkinë e Krujës është në gatishmëri të plotë. Ne kemi marrë masat që nëse do të ketë raste të shtuara jo vetëm ky spital, por edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion në gatishmëri. Nga ana tjetër edhe qendra shëndetësore 24 orëshe është gjithashtu në operim të plotë për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari”, tha Manastirliu.

E pyetur nga gazetarët për shkaqet e kësaj situate, Manastirliu tha: “Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe ekspertët tanë janë duke investiguar në të gjitha pistat.Të gjitha rastet që janë paraqitur janë paraqitur me gastroenterid. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve. Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar. Ne do të kemi një rezultat përfundimtar në momentin që do të kemi dhe rezultatin e analizave mikrobiologjike. Në momentin që ne do të kemi rezultatet e analizave përfundimtarë do të kemi një raport të detajuar që do e ndajmë me ju”, tha Manastirliu.

Dyshime janë se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm, ndërsa pavarësisht numrit në rritje të qytetarëve që i drejtohen urgjencës për të marrë ndihmë shëndetësore, ministrja tha se situata është nën kontroll. Shenjat kryesore të qytetarëve që kanë pasur probleme kanë qenë të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë. be.k/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!