Avancon projekti për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.
Aktualisht marrëveshja për financimin nga Banka Europiane për rindërtim dhe Zhvillim në vlerën e 98.7 milionë eurove është miratuar në komisionin e ligjeve. Zv.ministrja e Infrastrukturës tha se Procesi i punimeve për projektin hekurudhor Vorë – Hani i Hotit është parashikuar të përfundojë në dhjetor të 2030.
Zv.ministrja e Infrastrukturës Enkelejda Muça deklaroi se gjatë ndërtimit të kësaj vepre pritet të punësohen më shumë se një mijë persona ndërsa do të parashikohet të ketë ndikim në rritjen e transportit të qytetarëve por edhe të mallrave.
Vlera totale e projektit është 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtarë. Rreth 160 milionë euro do të jenë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, rreth 99 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve.
Projekti synon të lidhë nëpërmjet hekurudhës Shqipërinë me Malin e Zi nëpërmjet stacionit të përbashkët hekurudhor të Tuzit drejt Podgoricës e më tej./ abcnews.al