“Hedhin 200 mln €”! Monolog për aksidentet nga Erion Kristo: Këmbësorët kuturu, arkivole shëtitës

schedule21:40 - 5 Shkurt, 2021

schedule 21:40 - 5 Shkurt, 2021

Monolog nga Erion Kristo

Nëse doni të kuptoni diçka për karakterin tonë si popull, mjafton të vëzhgoni mënyrën se si ngasim makinat. Rrëmujë. Një rrëmujë në të cilën në orientohemi shumë mirë. Kaq të pasur jemi ne, sa të hedhin nga dritarja gati 200 milionë euro në vit, që shoqëria i harxhon për aksidentet rrugore?

Në vende si vendi ynë, dëmi shkon gati 2% e GDP. Me aq para sa kemi harxhuar në 30 vjet, pothuaj mund të shlyenim borxhin e jashtëm të qeverisë. Prandaj na duhet një vizion zero për aksidentet, ku asnjë njeri i vetëm të mos lëndohet e asnjë njeri i vetëm të mos humbë jetën.

Por mënyra se si ngasim mjetet lë shumë për të dëshiruar. Këmbësorët ecin kuturu dhe shpesh më duken si arkivole shëtitës. Nuk gjen paqe njeriu as në rrugë, as në trotuar. Kalimi i rrugës është si sport ekstrem. Motoristët janë të tërbuarit e rrugës, sidomos picanjosët.

Për dy sekonda të fituara, janë 200 jetë të rrezikuara. Dhe kjo vetëm nga njëri syresh. Biçiklistët deri dje ishin më të përbuzurit e rrugës. Sot kanë hyrë në sektorin e fodullëkut. Taksixhinjtë janë pronarët e rrugës. Turinjtë e makinave të tyre janë si thumba blete.

Ata hyjnë kudo dhe kurdo. Shoferët e autobusëve janë pak nervozë. Për të mos folur për automobilistët. Fat në jetë nuk është të të dalë llotaria amerikane, por të shpëtosh kokën kur të parakalojnë dy makina, edhe majtas edhe djathtas në të njëjtën kohë.  Situata e ngjarjes është shumë piktoreske.

Nëse nuk më besoni mua, pyesni ata zanatçinjtë që mbajnë tuba nëpër makina. Ata janë xhonglerë cirku. Por ka dhe më akrobatë se këta: dasmorët. Trupat e tyre dalin pothuajse krejt nga makina, a thua se gëzimi i tyre nuk rrezikohet të kthehet në hidhërim.

Por shumë nga këto gjeste gjeniale (dhe mos harroni se gjenialiteti dhe marrëzia ndahen nga një fill i hollë) edhe i kuptoj. Por kurrë skam për të kuptuar nënat që mbajnë fëmijët në dorë në sedilen e parë. Moskujdesja më e plotë në jetë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!