Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që dy prej hidrocentraleve të kaskadës së drinit të jenë pranë kuotave maksimale duke detyruar KESH-in që nëse situata vijon e tillë të nisë shkarkimet në sasi edhe më të mëdha.
Gazetarja Erblina Mile raporton për abcnews.al duke iu referuar burimeve nga KESH, se Fierza është në kuotën 280 metra dhe situata është e stabilizuar pasi mbetën edhe 16 metra deri në kuotën maksimale.
Lexo edhe: Disa zona “nën ujë”, si pritet të jetë moti sot
Por, ndërkohë që Fierza nuk përbën problem, situata është mjaft shqetësuese në Koman dhe Vaun e Dejës, të cilët janë vetëm pak centimetra larg kuotës maksimale.
Lexo edhe: Kulmi sonte pas mesnate, zonat që duhet të bëjnë kujdes
Kështu, Komani është në kuotën 174 metra e 42 centimetër, ndërsa kuota maksimale e këtij HEC-i është 176 metra. Nga ana tjetër, Vau i Dejës është aktualisht sipas KESH-it në kuotën 75 metër e 58 centimetër, ndërsa kuotën maksimale e ka 76 metra.
Nisur nga situata e krijuar në dy HEC-et e poshtëm të kaskadës së drinit, KESH ka filluar shkarkimet nga Vau i Dejes. Raportohet se shkarkimet totale nga HEC-i Vau i Dejës janë 500 m3/s nga portat e shkarkimit dhe 420m3/s nga prodhimi i turbinave, ose rreth 30% e prurjeve natyrore në lumin Drin.
“Sa i përket prodhimit ditor, aktualisht po gjenerohet energji me kapacitet të plotë në Hec Koman dhe Vau i Dejës, 17.000 MWh, duke përmbushur plotësisht kërkesën për furnizim nga OSHEE. Në Hec Fierzë aktualisht nuk po gjenerohet energji e po administrohet me qëllim akumulimin e prurjeve për rritjen e rezerves energjitike dhe lehtësimin e veprimeve operacionale për administrimin e prurjeve“, bën me dije KESH për ABC.
Situata në HEC-e
Kuota aktuale Kuota maksimale
Fierza 280 metër e 26 cm 290 metër
Komani 174 metër e 42 cm 176 metër
Vau i Dejës 75 metër e 58 cm 76 metër