​Haxhiu thirrje Prokurorisë Speciale: Trajtoni me seriozitet çështjet e krimeve të luftës

schedule14:35 - 21 Prill, 2023

schedule 14:35 - 21 Prill, 2023

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i bën thirrje Prokurorisë Speciale që të trajtojë me seriozitet çështjet e krimeve të luftës. Ajo thotë se kanë fuqizuar kapacitetet në këtë institucion, ani pse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka përfunduar procedurat e rekrutimit. Sipas saj, janë shtuar katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për të ndihmuar prokurorët.

Përkundër që ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për gjykim në mungesë, ministrja Haxhiu thotë se ky ligj ka nisur së zbatuari. Kjo mënyrë e gjykimit ndodhë për herë të parë në Kosovë dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.

E para e Drejtësisë shprehet se mbetet prioritet adresimi i krimeve të luftës, për çka kanë ndërmarrë disa veprime.

“Në secilin takim që kam pasur me krerët e sistemit të drejtësisë, kam vënë në pah rëndësinë për adresimin serioz të krimeve të luftës. Sepse, siç jeni në dijeni ka pasur mosveprim, neglizhencë, diku edhe të qëllimshme të misioneve që kanë qenë të instaluar në Kosovë”, thotë Haxhiu për KosovaPress.

Për hetimin e këtyre rasteve, Haxhiu thotë se duhet vullnet i hekurt dhe vigjilencë.

“Unë si ministre e Drejtësisë thërras që Prokuroria Speciale t’i trajtojë me seriozitetin më të lartë këto çështje”, shprehet Haxhiu për KosovaPress.

Për më tepër, ajo thotë se synimet janë edhe për fuqizimin e Departamentit që adreson krimet e luftës brenda policisë. Kujtojmë se, institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë për krime e dy mijë të tjera për të zhdukurit.