Vullkani Kilauea në Hauaji ka shkatërruar banesa të shumta dhe kërcënon qindra të tjera. Përveç kësaj, është dhënë alarmi edhe për banorët pasi shpërthimet e llavës shkojnë deri në 70 metra lartësi.
Shpërthimet në vullkanin Kilauea në Hawaii kanë shkatërruar mbi 26 shtëpi dhe po kërcënojnë qindra të tjera, me shumë kratere të reja që janë hapur së fundmi. Rreth 2 mijë persona janë evakuuar deri më tani. Disa banorë janë lejuar që të kthehen për disa momente tek banesat e tyre për të shpëtuar kafshët shtëpiake, por autoritetet thonë se qëndrimi aty nuk është i sigurtë.
Në krateret e reja në një zonë të këtij ishulli janë regjistruar shpërthime të shumta me llavën që është shpërndarë në ajër deri në 70 metra lartësi. Hauai është goditur vazhdimisht nga lëkundje sizmike gjatë kësaj periudhe, ku tërmeti më i fuqishëm u regjistrua të premten me magnitudë 6.9 ballë i shkallës rihter.
“Kur jam evakuuar të enjten, unë i thashë lamtumirë vendit ku jetoja pasi tashmë do jetë shkatërruar nga llava”, tha për BBC një banor. Ndërsa një tjetër dha alarmin se shumë kafshë janë në kafaze apo të lidhura që duhen shpëtuar.
Ndërkohë, Kilauea është një ndër vullkanet më aktive në botë dhe në të janë regjistruar shpërthime konstante për 35 vite. /abcnews.al