Hasani: Te Partizani në provë, nuk e prisja kurrë të më ndihmonin

schedule08:15 - 3 Shkurt, 2021

schedule 08:15 - 3 Shkurt, 2021

Në merkaton e dimrit Partizani mundi të zhbllokojë merkaton dhe të afrojë disa lojtarë cilësorë. Edhe pse nuk ka zyrtarizim, të kuqtë kanë arritur marrëveshje me Edon Hasanin, ish-fantazistin e Tiranës deri në sezonin e shkuar.

Aktualisht shkodrani po rikuperohet ende nga dëmtimi i rëndë që pësoi në nisje të sezonit në Turqi me Ankaragucu, teksa është në hapat e fundit. Vetë Olsi Rama, drejtori i Partizanit, u shpreh se e kanë afruar Hasanin për ta ndihmuar që fillimisht të arrijë formën fizike.

Së fundmi për Panorama Sport ka folur edhe vetë Hasani. Mesfushori shprehet se është në provë te Partizani dhe do të stërvitet me ta deri kur të rikuperohet plotësisht. Më pas ai do të jetë në një lloj prove dhe Dajës do i duhet të vendosë.

“Do të bëj stërvitje me Partizanin, do të marr provën. Siç e tha trajneri Daja, ata janë treguar humanë me mua. Më pas nëse i shërbej ekipit, normalisht që do jap maksimumin. Nuk ma kishte marrë mendja që drejtuesit e Partizanit të më ndihmonin, ua di për nder.

Nuk e prisja sepse të them të drejtën, unë nuk kam kontribuar asnjëherë për Partizanin. Kemi arritur marrëveshje me mirëkuptim, i falënderoj shumë drejtuesit sepse më dhanë mundësinë të stërvitem dhe të kap formën time”, u shpreh Hasani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!